Policia e Kosovës ka njoftuar se dje ka arrestuar një person në Fushë Kosovë nën dyshimet se i njëjti kishte prodhuar dhe kishe vënë në qarkullim artikuj ushqimor të dëmshëm dhe të pakontrolluar.
Nga Policia bëjnë të ditur se i arrestuari, në lokalin e tij, më saktësisht në qebaptoren e tij në Fushë Kosovë, po shiste produkte të mishit, që dyshohet se ishin të pakontrolluara. Në vendin e ngjarjes nga Policia dhe Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit (AUV) është gjetur një sasi prej 120 kg mish, pa dokumentet e nevojshme të kontrollit nga personi kompetent apo enti i autorizuar, pa dokumente të prejardhjes dhe pa datën e prodhimit apo të skadimit të afatit.
Përpos kësaj, edhe në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit, në lagjen Emshir të Prishtinës, në një depo është gjetur edhe një sasi tjetër e mishit rreth 50 kg, që po ashtu ishte pa dokumente të prejardhjes.
Lokali në Fushë Kosovë i të arrestuarit është mbyllur nga Policia, derisa mishi dhe nënproduktet e mishit të gjetura në dy lokacionet, mbi 200 kg, nga inspektorët e AUV-it janë bllombuar deri në krijimin e kushteve për asgjësim.
“Sot rreth orës 16:00, kemi pranuar një informatë se në rrugën Hajrulla Zymi, në Fushë Kosovë, saktësisht në një lokal (qebaptore), po shiten produkte të mishit, që dyshohet se janë të pa kontrolluara.Njësitet policore të stacionit të Fushë Kosovës dhe inspektorët e Agjensisë së Veterinës dhe Ushqimit (AUV), menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në lokalin e cekur kanë gjetë një sasi të mishit (rreth 120 kg), pa dokumentet e nevojshme të kontrollit nga personi kompetent apo enti i autorizuar, pa dokumente të prejardhjes dhe pa datën e prodhimit apo të skadimit të afatit”, thuhet në njoftimin e Policisë./Buletini Ekonomik/