Pse çmimi i energjisë elektrike në Europë ka arritur nivele rekord?

energji
Foto Ilustruese

Shkaqet kryesore janë mungesa e gazit natyror dhe e erës

Në Europë, kostoja e energjisë elektrike është në rritje. Që nga fillimi i shtatorit, çmimet e energjisë në Gjermani dhe Francë, janë rritur përkatësisht me 36% dhe 48%.

Tani kanë arritur në rreth 160€ (189 dollarë) për megavat në orë, një nivel rekord. Në Britani, çmimet kanë arritur në 385£ (532 dollarë), nga 147£ disa javë më parë. Si shpjegohet kjo rritje?

Reklama e sponzorizuar

Një problem është furnizimi me gaz natyror, i përdorur për të prodhuar rreth një të pestën e energjisë elektrike në Europë. Mungesat kanë rritur çmimin e gazit – dhe si pasojë, çmimin e energjisë elektrike. Rreth një e treta e furnizimit në Europë vjen nga Rusia; një e pesta vjen nga Norvegjia. Të dyja vendet kanë pasur pengesa në shpërndarje, siç ishte një zjarr në një fabrikë përpunimi në Siberi, duke shkaktuar furnizim më të ulët. Kompanitë kombëtare të gazit, kanë kërkuar të kompensojnë mungesën nga tregu i gazit të lëngshëm natyror (GLN). Por atyre iu është dashur të konkurrojnë me blerësit në Kinë dhe Japoni, ku kërkesa për GLN po rritet. Midis janarit dhe korrikut, importet e GLN në Europë, ishin 15% nën vëllimin e vitit të kaluar.

Zakonisht, ndërmarrjet europiane i përgjigjen çmimeve të larta të gazit duke përdorur më shumë qymyr. Por çmimi i qymyrit është gjithashtu në nivele të larta rekord. Kostoja e lejeve europiane të karbonit është gjithashtu në nivele rekord. Për shkak se djegia e qymyrit lëshon më shumë mbetje ndotëse se djegia e gazit natyror, lejet e shtrenjta të karbonit i rrisin edhe më shumë çmimet.

Një faktor tjetër është era – apo më saktë, mungesa e saj. Rreth një e dhjeta e energjisë së Europës prodhohet nga era. Në disa vende, përfshirë Gjermaninë dhe Britaninë, kjo pjesë është sa dyfishi i vendeve të tjera. Megjithatë, kohët e fundit, ajri ka qenë jashtëzakonisht i qetë. Në Gjermani, për shembull, gjatë dy javëve të para të shtatorit, prodhimi i energjisë së erës ishte 50% nën mesataren pesëvjeçare, thotë Roy Manuell nga ICIS, një firmë kërkimore.

Çmimet e larta të energjisë janë më të theksuara në Britani. Kjo për shkak se vendi është veçanërisht i varur nga gazi dhe era. Gjithashtu, Britania është më pak e lidhur se fqinjët e saj me rrjetin europian, gjë që i bën çmimet më pak të paqëndrueshme.

Analistët parashikojnë që çmimet të mbeten të larta gjatë gjithë dimrit, kur kërkesa për ngrohje dhe energji të arrijë kulmin. Ky është një lajm i keq për konsumatorët europianë, të cilët do të përballojnë pjesën më të madhe të kostos. Disa vende tashmë po përpiqen t’i mbrojnë ato. Në Spanjë, kabineti miratoi disa masa urgjente për të vendosur një kufi për çmimin e gazit dhe fitimet e kompanive të shërbimeve. Qeveria italiane po rishikon si llogariten faturat e energjisë elektrike. Por politikanët nuk do të jenë në gjendje të mbrojnë konsumatorët nga ndikimet më ekstreme të mungesës së gazit natyror. Disa analistë mendojnë se një dimër veçanërisht i ftohtë mund të shkaktojë ndërprerje energjie. Prandaj, faturat e shtrenjta mund të jenë shqetësimi më i vogël i Europës./The Economist/