Shqipëri, eksportet rriten për 336 milionë euro

Eksportet shqiptare duke se kanë rikuperuar plotësisht humbjet nga pandemia. Edhe në shtator kanë vijuar ecurinë pozitive me rritje dyshifrore duke bërë që vlera e tyre të arrijë në 33 miliardë lekë.

Rritja ka qenë e fortë edhe si raport 9-mujor pasi arritën në 266 miliardë lekë, ndjeshëm më shumë se një vit më parë e duke tejkaluar edhe nivelet e para krizës.

Ndikimin më të madh në zgjerimin e eksporteve këtë periudhë që u rritën më gati 336.7 milionë euro më shumë se në 2019-ën, e kanë dhënë grupi i materialeve të ndërtimit e metaleve me një rritje prej 14.3% më shumë se një vit më parë, ndjekur nga mineralet e lëndët djegëse përkatësisht me 11.6%, kryesisht edhe prej rritjes së eksportit të energjisë elektrike nga KESH.

Reklama e sponzorizuar

Por me gjithë rritjen e tyre, sërish tekstilet e këpucët vijojnë të mbajnë peshën kryesore si grupi më i madh eksportues, edhe nuk po arrijnë dot të rikuperohen nga kriza për të prekur nivelet e para pandemisë.

Për 9-mujorin fasonët kanë eksportuar në total rreth 82 miliardë lekë mallra, rreth 55.8 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të 2020-ës. Ndërsa në raport me 2019-ën rezultojnë me tkurrje prej 8.2 miliardë lekë ose 67.3 milionë lekë më pak eksporte.

Kjo duket se ka ndikuar edhe në uljen e eksporteve drejt partnerit kryesor tregtar Italisë si dhe Spanjës që rezultojnë edhe vendet me të cilat vendi ka parë tkurrje të produkteve ‘Made in Albania’ këtë periudhë, teksa janë zgjeruar ndjeshëm ato drejt Kosovës për 9-mujorin.

Paralelisht rritje të fortë kanë parë edhe importet e mallrave që vetëm për shtatorin arritën në 69 miliardë lekë, teksa si periudhë 9-mujore vlera e tyre preku nivelin e 556 miliardë lekëve, apo 127 miliardë lekë më shumë se në 2020-ën.
Ky zgjerim i fortë i importeve është ndikuar së tepërmi nga rritja e importeve të makinerive e pjesëve të këmbimit, grupit të produkteve ushqimore si dhe mineraleve e energjisë elektrike.

Kjo ka bërë që deficit tregtar të thellohet më tej duke arritur në 290 miliardë lekë në fund të shtatorit, nga 234 miliardë lekë, gati 56 miliardë lekë më shumë se vitin e shkuar./tch