Arsyet pse duhet mbyllur dhe pse duhet të rindërtohet Kosova A… Në KEK dominon mendimi ‘shumicë absolute’ se duhet të rindërtohet ky kapacitet, në BE as që duan të dëgjojnë për termocentralet me bazë të qymyrit, ndërsa Kosova pothuajse nuk ka alternativë tjetër.
Mehmet GJATA
Termocentralet Kosova A duhet ose të mbyllen fare, ose të rindërtohen. “S’ka asnjë alternativë tjetër.” Kjo ishte përgjigjja e prerë e drejtorit operativ të KEK-ut, Luigj Ymerit, një njohës brilant i zhvillimeve energjetike në vend dhe në botë, në interesimet e Buletinit Ekonomik për “fatin” e mëtejshëm të këtij kapaciteti elektroenergjetik të stërvjetruar tashmë, dhe si i tillë edhe goxha i rrezikshëm për 700 punëtorët e angazhuar aty, por edhe më se të nevojshëm për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të vendit dhe për përmbushjen e mbi një të tretës së nevojave të konsumit kosovar për rrymë.
Dihet, Kosova A, tri blloqet (A3, A4 dhe A5), edhe kështu si janë, në një gjendje të mjerueshme nga vjetërsia e tyre dhe larg çdo standardi sipas ligjeve në fuqi për prodhimin e energjisë nga termocentralet, janë më se të nevojshme për KEK-un dhe mbarë Kosovën për të kompenzuar mungesat e rrymës dhe për të mos u futur në qorrsokak, që pastaj vështirë t’i dilet mbanë nga importi me çmime stratosferike të rrymës. Sepse Kosova A akoma prodhon 35 për qind të energjië elektrike të vendit. Dhe kjo sasi është kolosale, si për prodhim është edhe për nga vlera financare, kur dihet gjendja teknike e saj dhe kur gjithnjë e më shumë kudo në botë po shpërfaqen përmasat dhe pasojat e frikshme të krizës energjetike që Kosovës po i troket te dera.
Drejtori operativ në KEK, numëron arsyet pse duhet mbyllur ky termocentral. Sepse, sipas tij, nuk e plotëson asnjë normë apo standard sipas ligjeve në fuqi për prodhimin e rrymës nga termocentralet. Ka teknologji të stërvjetëruar dhe të amortizuar. Përbënë rrezik real për punonjësit dhe komunitetin përreth vazhdimi i mëtejshëm i operimit me këtë gjendje aktuale, kur siguria dhe disponueshmëria është në nivelin më të ulët të mundshëm. Megjithëkëtë, duhet potencuar se Kosova A viteve të fundit ka performuar mirë, por gjithmonë duke bartur pasiguri të lartë operimi. Performancën e mirë e ka arritur, gjithsesi, siç potencon Ymeri, në saje të eksperiencës dhe profesionalizmit të lartë të punëtorëve të këtushëm. Dhe, para se të vendoset eventualisht për opsionin e mbylljes, doemos duhet të mendohet se çka do të bëhet me 700 punëtorët e A-së. Së fundi, mbyllja do të kishte ndikim shumë të disfavorshëm edhe në të gjithë fushëveprimtarinë e KEK-ut.
Luigj Ymeri, prandaj, mendon se mbyllja nuk është opsioni më i mirë, sidomos në rrethanat e tanishme kur po shihen ecuritë energjetike kudo në Evropë, dhe kur kihet parasysh kanosja e rrezikut e mungesës së energjisë edhe te ne, sidomos gjatë sezonit dimëror, kur rëndom rritet drastikisht shpenzimi i energjisë elektrike në vend dhe kur konsumi jonë do të krijonte varshmëri reale nga importi me çmime stratosferike.
Ymeri si njohës i mirë i rrjedhave energjetike jo vetëm në vend, është i bindur që rindërtimi, ama rindërtimi rrënjësor dhe qind për qind sipas kritereve dhe standardeve të BE-së për një prodhues të rrymës nga qymyri, është opsioni më i mirë i mundshëm deri më 2050, kur siç është paraparë dhe është përcaktuar me norma ligjore, nuk do të ketë më karbon, pasi që pas këtij viti, siç është përcaktuar nga asociacionet kompetente evropiane, nuk do të ketë më termocentrale me qymyr, naftë, gazë etj. Pas 2050-ës, sipas BE-së, do të dominojë energjia e rinovueshme.
Ne si Kosovë realisht e kemi humbur hapin në arritjen e synimeve tona për zhvillimin energjetik, thotë Ymeri.
“Strategjitë tona nuk janë implementuar si duhet. Dhe për pasojë, për shumë vite po na zgjatet tranzicioni i zhvillimeve energjetike”, tha ai.
Ymeri ka qenë ithtarë i një kapaciteti të ri energjetik. Por, pas dështimit për ta pasur këtë kapacitet, ai tani mendon se zgjidhja relativisht e mirë për 20-25 vjetët e ardhshëm është rindërtimi i A-së.
“Nuk jemi naiv për t’i kuptuar trendet e zhvillimit botëror të energjisë, por detyrë e jona profesioniste dhe intelektuale është të bëjmë vlerësimin e saktë të nevojave dhe burimeve energjetike të vendit, pastaj të ofrojmë alternativat më të mira dhe më optimale të mundshme për të pasur energji. Dihet se te ne nuk ka shumë mundësi për ndonjë kapacitet të madh nga turbinat me erë, pasi që në Kosovë nuk ka shumë erë dhe nuk ka shumë vende ku mund të instalohen turbinat e erës. Panelet solare në përmasa të efektshme do të rrezikonin tokën edhe ashtu të paktë të bukës. Mbetet pra qymyri, që e kemi të bollshëm dhe me rezerva impozante. Dhe pikërisht këtë resurs që na e ka dhuruar aq begatshëm natyra nuk e kemi përdorur mirë, kujdesshëm, sidomos në aspektin e ruajtjes së ambientit”, thotë për Bultetin Ekonomik, Ymeri.
Rreth 94 për qind e prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë është nga qymyri. Ndërkohë që politika evropiane, ato të asocacioneve kompetente dhe vendimmarrëse janë shumë të egra, të ashpra dhe kjo doemos na vë në pozitë të disfavorshme karshi synimeve zhvillimore për të pasur edhe ne energji të mjaftueshme. Por deri më 2050, kur më nuk do të ketë energji nga qymyri, i kemi dy faza. Duhet t’i bindim vendimmarrësit se nuk jemi dhe nuk kemi qenë asnjëherë kundër energjisë së rinovueshme. Përkundrazi, me potencialet natyrore tona për ndërtimin e kapaciteteve të energjisë solare dhe asaj të erës, nuk ka mundësi të plotësohen nevojat kosovare për rrymë. Prandaj mbetet thuaja si alternativë e domosdoshme qymyri, së paku deri më 2050, si burim kryesor energjetik te ne, sado që në Evropë, në qarqet vendimmarrëse të BE-së askush nuk do të dëgjojë edhe tani për qymyr si alternativë e prodhimit të energisë elektrike. Dhe ne nuk kemi alternativë tjetër pos qymyrit, për t’u ofruar qytetarëve të Kosovës furnizim stabil me rrymë dhe me kosto të pranueshme. Alternativë e domosdoshme, e zorit, pra mbetet ndërtimi i një kapaciteti të ri energjetik në bazë të qymyrit, ose rivitalizimi -rindërtimi i tri blloqeve të Kosovës A (A3, A4 dhe A5) që ende janë në funksion dhe duke prodhuar, madje 35 për qind të energjisë elektrike të Kosovës.
Rindërtimi i Kosovës A pos sigurimit të energjisë bazë që është më se e domosdoshme për funksionimin stabil të sektorit të energjisë në Kosovë do të garantonte edhe një tranzicion stabil dhe të sigurtë, i cili pritet të ndodhë në vitet 2045-2050, kur nuk do të lejohet prodhimi i energjisë nga qymyri në Evropë. Pokështu, rindërtimi i A-së mundëson vazhdimin e funksionimit të këtyre termocentraleve, duke shfrytëzuar përvojën dhe profesionalizmin e e ekspertëve të saj dhe duke përdorur infrastrukturën përcjellëse që i duhet një termocentrali për operim. Me rindërtim do të fuqizohet roli i KEK-ut si kompani publike në sektorin e energjisë në vend, e që si rrjedhojë do të kishte ndikimin e lartë në ruajtjen e kostos së prodhimit të energjisë për konsumatorët vendor dhe bizneset e vendit.
Rindërtimi A-së do të kushtojë më pak se sa ndërtimi i një kapaciteti të ri dhe ç’është më e rëndësishmja do të bëhej një kthesë evidente në ruajtjen e ambientit duke reduktuar maksimalisht emetimet e gazrave NoX dhe duke rikonstruktuar turbinat për kogjenerim.
Inxhinier Ymeri numëron edhe një numër arsyesh të tjera që flasin në favor të rindërtimit të Kosovës A. Por, sipas tij, për të rindërtuar këtë TC do të duhej të bëhet një analizë gjithëpërfshirëse, duke i përcaktuar qartë objektivat që synohen dhe strategjinë se si duhet dhe si mund të bëhet rindërtimi.
Ai, si një nga vështirësitë serioze, madje si kërcënim të rindërtimit të A-së në rrugën drejt rindërtimit, e sheh taksën e karbonit që do ta vendosë BE-ja dhe që është shumë e madhe, ose që apostrofohet të jetë diku sa çmimi i kostos së prodhimit të një megavati dhe ndoshta edhe më shumë se kaq. Pokështu edhe taksa vendore, e brendshme pra, do të jetë një nga pengesat jo të vogla për sendërtimin e këtij projekti.
Po kostoja e rindërtimit të Kosovës A, cila do të ishte në rast të vendosjes përfundimtare pro këtij projekti kapital?
Aktualisht në botë prodhimi i një megavat-ore kushton 2 milionë euro, ndërsa rindërtmi, pasi që infrastruktura e nevojshme dhe disa pajisje bazike janë aty, do të kushtonte përgjysmë më lirë, pra diku 1 milionë euro, saktëson Ymeri. Kapacitetet e Kosovës A në rrjet (të tri blloqeve të parapara për rindërtim- A3, A4 dhe A5) tani janë diku rreth 550 megavat-orë. Pra, përafërsisht kaq milionë do të nevojiteshin për rindërtimin e Kosovës A.
Këto para janë disa herë më pak se sa do të kushtonte një kapacitet i ri me kapacitet të ngjashëm. Blloqet do të rindërtoheshin suksesivisht, një nga një secili, prandaj edhe paratë do të siguroheshin suksesivisht.
Poqe duam seriozisht të bëhet kjo punë aq e dukshme për furnizimin me energji elektrike nga burimet tona, zvogëlimin e varshmërisë nga importi dhe krijimin e sigurisë në sektorin energjetik që reflektohet domosdo edhe në fuqizimin e sigurisë nacionale, Kosova mund të ndërtojë Kosovën A. Madje, më kollaj se sa që paramendohet. Lipset vetëm të vendoset dhe të dihet çka po duam dhe a duam ta rindërtojmë Kosovën A. /Buletini Ekonomik/