Nga tasat me mish viçi në Tokio e deri te pula e skuqur në Londër, konsumatorët kanë filluar të ndiejnë tronditjen nga rritja e kostove, që ka përfshirë ekonominë globale, shkruan Reuters.
Rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik, që erdhi pas lehtësimit të kufizimeve të koronavirusit, ka ekspozuar mungesat në zinxhirët e furnizimit, me kompani që po përpëliten në gjetjen e punëtorëve, anijeve, madje edhe karburantit për fabrikat e energjisë, duke kërcënuar kështu rimëkëmbjen.
Prodhuesi më i madh i mishit të pulës në Britani paralajmëroi se periudhës 20-vjeçare të ushqimit të lirë në vend po i vjen fundi dhe se inflacioni i çmimeve të ushqimit mund të kapë shifra dy shifrore. Një mungesë e menjëhershme e punëtorëve të magazinave, kamionistëve dhe kasapëve, ndërkohë që ekonomia e pestë më e madhe në botë përballon Brexit dhe COVID-19, po përkeqëson presionet globale.
Edhe në Japoni, ku rritja e dobët e ekonomisë ka bërë që çmimet por edhe pagat të mos rriten shumë ndër dekada, konsumatorët dhe bizneset po përballen me një tronditje të çmimeve edhe për artikujt bazë si p.sh., kafeja. Inflacioni bazë i çmimeve të konsumit në Japoni ndaloi rënien vetëm në gusht. Ekonomistët dhe politikë bërësit presin që rritjet e fundit të çmimeve të reflektohen në të dhënat zyrtare në muajt e ardhshëm.
Teksa inflacioni në Spanjë, Irlandë dhe Suedi, po arrin nivelet më të larta në këto 13 vjet, Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, përsëriti se rritja në Europë shihet si e përkohshme dhe se nuk ka shenja se rritja e fundit do të ndikojë edhe fuqinë blerëse.
“Ndikimi i këtyre faktorëve duhet të zbehet … gjatë vitit të ardhshëm, duke zbutur inflacionin vjetor,” tha Lagarde. Inflacioni i Eurozonës pritet të arrijë 4% para fundit të vitit, dyfishi i objektivit të Bankës Qendrore Europiane. Një numër në rritje i ekonomistëve presin që inflacioni të qëndrojë poshtë objektivit përgjatë gjithë vitit 2022.
Në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Joe Biden i kërkoi së fundmi sektorit privat të ndihmojë në lehtësimin e bllokimeve të zinxhirit të furnizimit, që po kërcënon prishjen e sezonit të pushimeve në SHBA.
Biden tha se Porti i Los Anxhelosit dhe Porti i Long Beach do të ishin në punë gjatë gjithë kohës për të shkarkuar rreth 500,000 kontejnerë që prisnin në det të hapur, ndërsa Walmart , Target dhe gjigantë të tjerë të shitjes me pakicë do të punonin edhe natën për të ndihmuar në plotësimin e nevojave të dërgesave.
Fronti i Ftohtë
Pakësimi i furnizimit me energji sugjeron një pamje të zymtë të dimrit në disa pjesë të botës. Kriza e energjisë, e shkaktuar nga mungesat e qymyrit, çmimet e larta të karburantit dhe rritja e kërkesës industriale pas pandemisë ka ndaluar prodhimin në fabrika të shumta kineze, duke përfshirë shumë furnizues të markave të mëdha globale si Apple Inc (AAPL.O).
Edhe pse kërkesa e dobët po mbulon inflacionin e çmimeve të konsumit, politikëbërësit ndodhen në një kufi shumë të ngushtë midis mbështetjes së ekonomisë dhe rritjes së mëtejshme të çmimeve të prodhimit.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë tha se kriza e energjisë mund të rrisë kërkesën për naftë me gjysmë milioni fuçi në ditë (bpd). “Çmimet më të larta të energjisë po shtojnë gjithashtu presionet inflacioniste që së bashku me ndërprerjet e energjisë, mund të çojnë në një ulje të aktivitetit industrial dhe një ngadalësim të rimëkëmbjes ekonomike,” tha IEA në raportin e saj mujor të naftës.
Institutet kryesore ekonomike ulën parashikimin e tyre të përbashkët për rritjen e ekonomisë më të madhe të Evropës, Gjermanisë, për vitin 2021, nga 3.7% në 2.4 pasi tkurrjet në furnizime penguan prodhimin. Në përgjigje të krizës, Shtëpia e Bardhë ka folur me prodhuesit amerikanë të naftës dhe gazit për të ndihmuar në uljen e kostove të karburantit, thanë për Reuters dy burime të njohura me këtë çështje.
Kostoja mesatare amerikane me pakicë e një galoni benzinë është në nivelin më të lartë shtatëvjeçar dhe Departamenti Amerikan i Energjisë pret që kostot e karburantit dimëror të rriten. Prodhimi i naftës dhe gazit mbetet nën kulmin në nivel kombëtar të arritur në vitin 2019.