Udhëheqësit e Bashkimit Europian do të diskutojnë në tetor idenë e krijimit të një rezerve strategjike të gazit të BE-së dhe ndarjen e çmimeve të energjisë elektrike nga çmimet e gazit, tha të martën shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Von der Leyen tha se rritja e çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët europianë ishte kryesisht rezultat i shtrenjtimit të gazit pasi kërkesa globale është rritur, por furnizuesit kryesorë europianë të gazit, si Rusia, nuk e kanë rritur furnizimin.
“Për gazin, ne jemi shumë të varur nga importet – 90% e gazit po importohet. Globalisht ekonomitë po rimëkëmben, kështu që kërkesa është në rritje, por furnizimi nuk po rritet në përputhje me rrethanat. Ne jemi shumë mirënjohës që Norvegjia po rrit prodhimin e saj, por ky nuk duket të jetë rasti në Rusi”, tha ajo.
Von de Leyen tha se BE-ja duhet të investojë në burime të rinovueshme të energjisë sepse kjo do ta bënte atë të pavarur nga importet dhe do të stabilizonte çmimet. Ndërmarrja e hapave më të menjëhershëm do të diskutohet në samitin e ardhshëm të BE-së, më 21-22 tetor.
“Në një periudhë afatshkurtër, ne do të diskutojmë në Këshillin Europian, si të merremi me magazinimin, rezervën strategjike dhe do të shqyrtojmë gjendjen e përgjithshme të çmimeve të tregut të energjisë elektrike sepse, nëse çmimet e energjisë elektrike janë të larta, kjo është për shkak të çmimeve të larta të gazit, dhe ne duhet të shikojmë mundësinë për t’u shkëputur brenda tregut, sepse kemi energji shumë më të lirë, si burimet e rinovueshme”, tha von der Leyen./Reuters/