Nëse një nga fjalëkalimet tuaja është në listë, ndryshojeni menjëherë, ndryshe rrezikoni t’u dhuroni hakerave të dhënat tuaja personale ose financiare
Ndryshimi rregullisht i fjalëkalimeve online mund të jetë i mundimshëm, por është absolutisht i rëndësishëm për të ruajtur të sigurta informacionet personale dhe financiare nga hakerat dhe kriminelët informatikë – veçanërisht në këtë periudhë të vitit.
Këtë javë, miliona përdorues do të kërkojnë në internet për oferta me rastin e Black Friday dhe Cyber Monday dhe shumë do të përdorin fjalëkalimet e ruajtura për account-et e dyqaneve apo në faqet web të parapëlqyera.
Megjithatë, hakerët përdorin teknologji të sofistikuar për të zhbllokuar këto fjalëkalime. Duke qenë se shumë njerëz përdorin të njëjtin fjalëkalim për shumë account-e, hakerat mund t’u boshatisin llogaritë në kartat e debitit apo kreditit.
Edhe këtë vit, NordPass publikoi listën e përvitshme të 200 fjalëkalimeve më të përdorura në 50 vende të botës. Të dhënat tregojnë se ‘123456’ është fjalëkalimi më i përdorur në 43 nga këto vende dhe përdoret nga 103.170.552 persona.
Rezultatet tregojnë se zgjedhjet e fjalëkalimeve shpesh lidhen me detaje kulturore. Për shembull, njerëz në vende të ndryshme frymëzohen nga ekipi i zemrës në futboll. Në Mbretërinë e Bashkuar, “liverpool” është fjalëkalimi i tretë më i përdorur, me 224.160 herë, ndërsa emri i ekipit të futbollit në Kili, “colocolo” është përdorur nga 15.748 persona, duke e bërë këtë fjalëkalimin e pestë më të përdorur. Në Itali, këtë vit, bie në sy përdorimi i “juventus” dhe “napoli” , përkatësisht i 6-ti dhe i 10-ti më i përdorur.
Në disa vende, përdorimi i fjalëkalimeve që lidhen me fenë ishte shumë i shpeshtë. Për shembull, “christ” është fjalëkalimi i 19-të më i shpeshtë në Nigeri, i përdorur 7.169 herë. Ndërkohë, “bismillah”, një shprehje arabe që do të thotë “në emër të Allahut” është përdorur nga 1.599 persona në Arabinë Saudite – zgjedhja e 30 më e përdorur.
Raporti nxjerr në pah edhe ndryshimet mes gjinive. Gratë priren të përdorin fjalë dhe shprehje më pozitive dhe të ngrohta si “sunshine” apo “iloveyou”, ndërsa burrat shpesh përdorin fjalëkalime që lidhen me sportin. Në disa vende, burrat përdorin më shumë fjalë vulgare se gratw.
Ndërsa fjalëkalimet në fushën e muzikës ishin të përhapura te të dyja gjinitë. Zgjedhjet si “onedirection” apo “justinbieber” ishin më të përdorura në mesin e grave, ndërsa burrat parapëlqenin emrat e grupeve si “metallica” dhe “slipknot”.
NordPass – 10 fjalëkalimet më të përdorura në botë në vitin 2021