Çmimi i leverdishëm i këtij fruti ka ndikuar tek shtimi i interesimit të fermerëve për ta kultivuar më shumë lajthinë.
Blendrita Avdiu
Në vitet e fundit, fermerët kosovarë kanë rritur interesimin e tyre edhe për kultivimin e kulturave arrore përveç konsumimit të tyre. Njëra prej frutave që fermerët në vend kanë filluar ta kultivojnë më shumë është edhe lajthia.
Në raportin e Ministrisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), me titull “Analiza e tregut të lajthisë”, tregohet se që nga viti 2015 deri në vitin 2020, sipërfaqja për kultivimin e lajthisë është rritur 6-fish kurse prodhimi i saj ka pasur rritje 9-fish.
Edhe të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), poashtu, tregojnë se kultura e lajthisë gjatë periudhës 2016-2020 ka pasur trend rritjeje, gjë që tregon që kohën e fundit ka një interesim më të madh nga fermerët për kultivimin e kësaj kulture.
Krahasuar me vitin 2019, sipërfaqja e lajthisë gjatë vitit 2020 është rritur për 55 për qind, ndërkohë që prodhimi i saj ka shënuar rritje për 45 për qind.
Ndërkaq, sa i përket kostos, edhe tek ky frut është vërejtur një luhatje e çmimeve,varësisht edhe nga mënyra e shitjes së tij. Kanë lëvizur çmimet e shitjes me pakicë nga ato me shumicë.
Mesatarja e çmimit të lajthisë në treg me pakicë për periudhën 2016-2020 për lajthinë e paqëruar, ishte 4.74 euro për kilogram, kurse për lajthinë e qëruar ishte 13.2 euro kilogrami. Ndërkohë, mesatarja e çmimit për lajthinë e paqëruar me shumicë për të njëjtën përiudhë ishte 4.25 euro për kilogram, ndërsa 12 euro kilogrami i asaj të qëruar.
Në anën tjetër, çmimi për shitjen e lajthisë së qëruar në fermat në Kosovë në vitin 2016 ishte më i larti në vlerë prej 12.4 euro për kilogram, ndërkohë që në vitin 2017 pësoi një rënie të dukshme për 25 për qind. Viteve në vijim poashtu pati një rritje të lehtë, por sërish pësoi rënie të çmimit në vitin 2020 në 9.5 euro për kilogram. Çmimi i lajthisë së paqëruar nuk ka pasur edhe aq ndryshime vlerësohet në raport, mirëpo nga viti 2016 deri në vitin 2019 ka pasur trend uljeje, ndërsa në vitin 2020 shënoi rritje të lehtë në vlerë, kur një kilogram është tregtuar me 3.6 euro.
Nëse analizojmë çmimet e lajthisë për njësi të importuar, bazuar në të dhënat e ASK-së, në bazë të deklarimeve nga dogana, rezulton së mesatarja e çmimit për periudhën ‘16-’20 ishte 8.05 euro për një kilogram. Çmimi më i lartë ishte në vitin 2016 në vlerë prej 10.8 euro, kurse ai më i ulëti në vitin 2018 – me 5.2 euro. Në vitin 2020, çmimi i lajthisë për njësi të importuar ishte 7.3 euro për kilogram, ku ky çmim ishte 13% më i ulët se ai i vitit paraprak, pra se në vitin 2019.
Sa i përket aspektit të tregtisë, sasia më e madhe e prodhimit të këtij fruti në vend shitet në treg, ndërsa pjesa e mbetur përdoret për konsum shtëpiak.
Edhe pse ky frut tanimë ka filluar të kultivohet në vend, ende një sasi e madhe është e importuar nga Turqia, pasuar nga Maqedonia e Veriut, Greqia, Serbia dhe Italia. Ndërkohë, një sasi simbolike të lajthisë, Kosova në vitin 2019 e ka eksportuar në Gjermani, por kjo sasi është fare e ulët.
Në bazë të të dhënave të raportit të MBPZhR-së, gjatë periudhës 2016-2020, importi i lajthisë ka shënuar rritje të dukshme. Sipas tyre, që nga viti 2016 deri në vitin 2018, sasia e importuar e lajthisë është rritur rreth 6- fish, ndërsa në vitin 2019 dhe 2020 ka pësuar rënie. Krahasuar me vitin 2019, në vitin 2020 është vërejtur një rënie prej 10 për qind.
Megjithatë, vlera më e lartë e importuar gjatë periudhës 2016-2020 ishte në vitin 2019 me një shumë prej 57 mijë e 790 euro, kurse në vitin 2020 ishte 21 për qind më e ulët.
Ndryshe, programi i pagesave direkte llogaritet ndër shtyllat kryesore të mbështetjes që jep shteti për fermerët e vendit tonë. Ndër vite ky program është zgjeruar dhe buxheti në vazhdimësi për përkrahje është rritur.
“Objektivat që tentohen të arrihen përmes pagesave direkte për kulturën e lajthisë janë: rritja e të hyrave në fermë, përmirësimi i konkurrencës dhe efektivitetit të prodhimit primar bujqësor, mirëmbajtja e vazhdueshme e pemishteve ekzistuese, zvogëlimi i kostos së prodhimit, përmirësimi i cilësisë së prodhimit, rritja e rendimentit dhe intensifikimi i ekonomizimit të aktiviteteve bujqësore”, thuhet tutje në raport.
Ndërkohë që kultivuesit e lajthisë për të përfituar nga ky program duhet të kenë të mbjellura së paku 0.50 hektarë. Subvencionimi në formë të pagesave direkte bëhet për sipërfaqe të mbjellura me lajthi në vlerë prej 400 euro për hektarë./Buletini Ekonomik/