Mbi 1 milionë e 400 mijë euro u arkëtuan për 10 muaj nga pagesat ujore- Ku shkojnë tutje këto mjete?

Nga pagesat e tarifave për shfrytëzimin dhe shkarkimin e ujit në Kosovë janë grumbulluar gjithsej 1 milionë e 417 mijë e 352 euro vetëm nga janari deri në tetor.  

Në krahasim me vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë ku pagesat ujore ishin në vlerë të 645 mijë e 638 eurove, këtë vit ka një rritje prej 120% të këtyre pagesave.

Ndërkohë, në vitin 2019 shuma e pranuar për këto pagesa ishte vetëm 245 mijë e 72 euro, që krahas këtij viti është një shifër për 478% më e ulët. Ndërsa, në vitin 2018 këto pagesa kishin arritur në 674 mijë e 789 euro, që me këtë vit ka një përqindje prej 110% më të lartë.

Reklama e sponzorizuar

Në një infografikë të publikuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ku tregohen shifrat e arkëtimeve të pagesave për shfrytëzimin e ujit në vend, thuhet se pas marrjes së masave ligjore nga MMPHI-ja, rreth 70% e operatorëve ekonomikë kanë raportuar në ministri dhe se pjesa më e madhe e tyre i janë përgjigjur kërkesave për pagesën e tarifave për shfrytëzimin dhe shkarkimin e ujit në Kosovë.

Ndërkaq, pas përfundimit të afatit të raportimit për kompanitë që nuk i janë përgjigjur kërkesave ligjore, nga ministria thonë se është nxjerrë vendimi për krijimin e Grupit Punues për përllogaritjen e sasisë maksimale të kapacitetit të plotë sipas kërkesës maksimale për shfrytëzimin e  apo shkarkimin e ujit nga këto kompani.

Por, ku destinohen tutje këto mjete?

Sipas Ligjit nr. 04/L-147 për Ujërat e Kosovës, mjetet nga pagesat për shfrytëzimin e ujërave, pagesat për shkarkimin e ujërave dhe nga pagesat për nxjerrjen e materialeve inerte, do të shfrytëzohen për administrim, menaxhim dhe zhvillim të resurseve ujore, përcjell Buletini Ekonomik.

Gjithashtu në këtë ligj përshkruhet që pagesat që rrjedhin nga ky ligj, nuk do të përdoren për qëllime administrative apo në vend të buxhetit.

“Pagesat të cilat paguhen sipas nenit 85 të këtij ligji, shfytëzohen për mirëmbajtjen e ujë rrjedhave, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e objekteve, për rregullimin e ujë rrjedhave dhe mbrojtjen nga efektet e dëmshme të ujërave”, thuhet në nenin 89 të ligjit për ujërat e Kosovës, pika 3.

Sipas këtij Ligji, të gjithë personat juridikë dhe fizik, në bazë të lejes për shfrytëzimin dhe shkarkimin e ujërave, janë të detyruar që ta paguajnë kompensimin për shfrytëzimin e ujit.

Pagesat ujore përfshijnë: konsumin e njeriut, përmes sistemit të furnizimit publik, shfrytëzimin e ujit për prodhimin e artikujve ushqimor, uji për nevoja të mbrojtjes, shfrytëzimi i ujit për bagëti, për ujitjen e tokave bujqësore, për nevojat industriale dhe teknologjike, për prodhimin e energjisë eklektrike, për ambalazhimin e ujit, për nevoja komerciale, për rritjen e peshkut, për kullimin e tokave, për shpërlarjen e inerteve si dhe të gjitha aktivitetet tjera të cilat ndikojnë në regjimin ujor ose në morfologjinë e trupit ujor.

Ndërsa, rastet për të cilat nuk paguhet për shfrytëzimin e ujërave janë vetëm ato raste kur uji përdoret për shtimin e ujërave nëntokësore dhe për mbrojtjen e mjedisit. Kurse, pagesa për nxjerrjen e materialeve inerte nuk paguhet në rastet kur rëra, zhavorri dhe guri përdoren për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e objekteve për mbrojtje nga efektet e dëmshme të ujërave. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/

May be an image of text