Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa është shqyrtuar Projektligji mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit 2022, me ç’rast edhe është miratuar më shumicë votash.
Prezent për ta justifikuar projektligjin për ndarjet buxhetore ishte edhe ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Ministri Murati gjatë fjalimit të tij, tha se ky projektligj parasheh një buxhet të përgjithshëm mbi 2 miliardë 748 milionë eurosh si shpenzime kurse projeksioni për të hyrat do të jenë 2 miliardë e 364 milionë euro, ku shumica prej tyre do të jenë të hyra tatimore 2 miliardë e 103 milionë, ku tatimet indirekte janë në vlerë të 399 milionëve, kurse tatimet indirekte 1 miliardë e 763 milionë euro.
Ndërsa sa i përket deficitit dhe borxhit publik, ai tha se ka një ngadalësim të ritmit, pra është projeksion shumë më i ulët sesa ka qenë më parë, por edhe i borxhit rrjedhimisht, dhe kjo sipas tij vjen për dy arsye: borxhi ndaj GDP-së si proporcion figuron më i vogël, në njërën anë për shkak se kemi një deficit më të vogël të paraparë, kurse në anën tjetër kemi edhe rritje të të hyrave por edhe rritje të GDP-së. Murati vlerëson se sipas kësaj, rrjedhimisht paraqitet edhe një figurë më me kontroll e borxhit publik.
Murati shpalosi disa risi në këtë projektligj për buxhetin e vitit 2022, me ç’rast tha se përveç rritjes së buxhetit pothuajse në të gjitha kategoritë për shumicën e dikastereve qeveritare dhe fushave që mbulojnë, ka edhe disa risi tjera, ku është paraparë vazhdimi i programit të ringjalljes ekonomike, meqenëse ka masa që janë ende në vazhdim dhe ministria e tij ka konsideruar që ekonomia e vendit ende ka nevojë për mbështetje, përkundër faktit që si tërësi është rikuperuar.
“Konsiderojmë që ka ende xhepa apo sektorë të cilët kanë nevojë për mbështetjen tonë, sidomos sektori i prodhimit, ku konsiderojmë që si shtet duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi që na është dhënë për shkak të shkëputjes së zinxhirëve të furnizimit në nivel global dhe ne mund të ripozicionohemi si shtet më afër vendeve tjera të Bashkimit Evropian, në mënyrë që të mund të zëvendësojmë ato zinxhire të furnizimit”, tha ministri.
Në anën tjetër, Murati theksoi se kanë paraparë edhe një kontigjencë për projektligje të reja, e cila nuk ka qenë më parë, me anë të së cilës parashihet që kurdo që ka ligje të reja, që kanë kosto shtesë buxhetore, e cila nuk mund të sigurohet nga kursimet tjera të tyre, të sigurohet nga kjo kontigjencë. Pra, ministri Murati tha se nuk duhet të mbetet zbatimi i legjislacionit të miratuar, peng i mungesës së buxhetit.
“Kemi poashtu edhe një ridizajnim të mëyrës se si zhvillohen dhe zbatohen projektet të cilat financohen me marrëveshje ndërkombëtare financiare, apo me kredi të buta. Në të kaluarën ka qenë praktikë që është buxhetuar projekti ende pa u nënshkruar, apo ende pa u ratifikuar, dhe kësisoj ka zënë një hapësirë të konsiderueshme në buxhet e ku në fakt nuk ka qenë e sigurtë nëse do të zbatohet apo jo, sepse procedurat marrin shumë më gjatë, mjetet janë bllokuar, apo hapësirat, kufiri buxhetor është bllokuar nga një ministri apo organizatë buxhetore e caktuar, projekti nuk është zbatuar dhe në fund ka dalë si tepricë në fund të vitit”, tha Murati.
Kontigjenca e paralajmëruar nga Murati ka një shumë totale prej 50 milionë euro, ku 40 prej tyre do të hyjnë në kategorinë e shpenzimeve kapitale dhe 10 milionë tjera hyjnë në kategorinë mallra dhe shërbime, të cilat sipas ministrit do të mund të shfrytëzohen varësisht prej dinamikës së nënshkrimit apo ratifikimit të marrëveshjeve të reja financiare dhe dinamikës së zbatimit të projektit.
“Pra, me fjalë tjera, ato projekte që kanë dinamikë më të mirë, dhe që menaxhohen më mirë nga organizatat buxhetore, do të mbështeten duke mos i lënë të kenë ngecje për shkak të mungesës së buxhetit, kurse ato që nuk kanë dinamikë të përshpejtuar të zhvillimit, do të marrin aq sa kanë nevojë”, theksoi Murati.
Ministri i Financave prezantoi edhe risinë tjetër që lidhet me buxhetimin e pagesës së TVSH-së, sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, ku potencoi se ka raste kur kreditorët e caktuar, institucionet financiare ndërkombëtare nuk dëshirojnë që kredia e tyre të mbulojë pjesën e taksave apo TVSH-së, dhe insistojnë që të financohet vetëm kostoja e projektit.
Ai tha se në të kaluarën, në marrëveshjet ndërkombëtare zakonisht është përfshirë edhe një klauzolë, ku është thënë që ky projekt përjashtohet nga TVSH-ja, me fjalë tjera nuk mbledhet TVSH-ja, duke shtuar tutje se në praktikë ka pasur hapësira për abuzim, sepse sipas Muratit kur merret lirimi nga një operator ekonomik në emër të atij projekti, ka mundësi edhe të ketë abuzime.
Prandaj, Murati tha se sipas këtyre fakteve, është vendosur që nga tani e tutje, të gjitha projektet të kenë edhe mbulimin e TVSH-së, mirëpo pjesa që është pa TVSH paguhet nga kredia, kurse pjesa me TVSH do të paguhet nga Ministria e Financave, ose ministria e linjës.
Ndërkohë, nga opozita u kundërshtua ky projektligj pasi deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku tha se në këtë buxhet ka shumë lëshime, duke filluar nga numri i ministrive e agjencioneve.
“Ky projektligj lë shumë për të dëshiruar, ka disa lëshime teknike. Qysh me i besue unë që edhe tabelat e tjera janë barazuara. Qeveria thotë se ka ma pak ministri, por ju në tabela keni shtuar dhe ministritë që nuk janë funksionale. Pastaj keni futur organizata që s’janë funksionale”, tha Lushtaku.
Lushtaku tutje u shpreh se edhe borxhi publik është rritur dhe është ulur buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë, kurse është rritur ai për Ministrinë e Infrastrukturës.
Ndërsa ministri Murati u përgjigj duke thënë se për dallim nga vitet e kaluara ky buxhet është i balancuar.
“Këtë vit kemi buxhet të balancuar për dallim të viteve paraprake dhe çështjet tjera janë çështje teknike”.
Kurse për buxhetin e ministrive të përmendura, Murati fajin ia la Qeverisë së kaluar.
E Pal Lekaj nga AAK-ja ngriti pikëpyetje rreth mënyrës se si janë ndarë buxhetet për disa prej dikastereve ministrore.
Me shumicën e votave në Komision është miratuar ky rekomandim mbi ndarjet buxhetore, ndërsa Pal Lekaj nga AAK dhe Avdullah Hoti nga LDK kanë abstenuar.
Gjithashtu, në këtë mbledhje është miratuar edhe rekomandimi për Raportin vjetor financiar të statistikave zyrtare për vitin 2020 të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Gjatë diskutimit të këtij raporti u konstatua se këtë vit ka pasur shpenzime më të mëdhaja ky institucion në krahasim me vitin e kaluar për shkak të përgatitjeve për regjistrimin e popullsisë. Këtë vit janë shpenzuar rreth 1 milionë euro për paga dhe mëditje të zyrtarëve të këtij institucioni.
Ilir Berisha, zëvendës-kryeshef i ASK-së tha se ASK-ja është auditur nga ZKA-ja vitin e kaluar dhe se nuk kanë pasur asnjë rekomandim.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, më 29 nëntor 2021 ka miratuar Projektligjin për ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.
Buxheti i parashikuar për vitin 2022 kap vlerën prej 2 miliardë e 746 milionë euro, apo 8.7% rritje krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti. Të hyrat buxhetore pritet të jenë në vlerë prej 2 miliardë e 364 milionë euro, gjë që paraqet rritje prej 15% në krahasim me vitin paraprak. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/