Aprovimi i pjesshëm i ankesave nga Organi Shqyrtues i Prokurimit dëmtoi buxhetin e shtetit me mbi 246 mijë euro

Organi Shqyrtues i Prokurimit- OSHP

Nga aprovimi i pjesshëm i ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), për kontratat përkatëse të vitit 2020 dhe tre muajt e parë të 2021-s, ka rezultuar të dëmtohet buxheti i shtetit me 246 mijë e 882 euro. E gjithë kjo kishte ndodhur si pasojë e aprovimit pjesërisht gabim të 104 ankesave nga ky organ.

Demokracia Plus në një konferencë për media sot, ku u bë prezantimi i raportit të monitorimit për OSHP-në, thanë se aprovimi i pjesshëm i ankesës vetëm që të mos konfiskohet tarifa e ankesës, i nxitë kompanitë tjera që të dorëzojnë ankesa të pabaza në OSHP dhe njëkohësisht rrit edhe numrin e ankesave.

Albert Krasniqi, drejtor i Programit të Demokracia Plus, u shpreh se ata si institut shpresojnë që Bordi i ri i OShP-së do t’i marrë parasysh të gjeturat e këtij raporti, derisa shprehu edhe gatishmërinë e tyre për të mbështetur avancimin e OShP-së.

Reklama e sponzorizuar

Të gjeturat e raportit i prezantoi Agon Hysaj po ashtu anëtarë në D+, i cili tha se pasi në OShP ankesat zakonisht janë për tenderë me vlera të mëdha, shumë investime kapitale të rëndësishme shtyhen për muaj si pasojë e këtyre ankesave.

Sipas tij, nga ky shqyrtim i ankesave kanë pësuar së pari nxënësit e Prishtinës, të cilët janë dëmtuar nga pamundësia e komunës për të nënshkruar kontratën për pajisje të teknologjisë informative.

“Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratën për furnizim me pajisje të teknologjisë informative vetëm pas 501 ditësh për mësimin online, që nënkupton se është kryer viti shkollor pa i marrë nxënësit pajisjet”, tha Hysaj.

Ndërsa, drejtoresha e programit në USAID me titull: “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse” Afërdita Mekuli, tha se për 5 vite ata kanë parë se Organi Shqyrtues i Prokurimit është dukshëm më transparent.

Me të gjitha këto të gjëtura,  u pajtua plotësisht kryesuesi i Sekretariatit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Ardian Behra, i cili tha se nuk ka çfarë të shtojë.

“Nuk kam çka të shtoj as pikë, as presje në këtë raport, pajtohem në plotëni. Po shpresojmë që Bordi i ri t’i marrë parasysh ato”, tha ai.

Tutje, Demokracia Plus i ka rekomanduar OshP-së që të mos i aprovojë pjesërisht ankesat vetëm për mos konfiskuar tarifën e ankesës.