Administrata Tatimore e Kosovës, (ATK) ka njoftuar të gjithë personat të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor janë të detyruar të regjistrojnë punëtorët e tyre, të mbajnë në burim Tatimin në Paga dhe Kontributet Pensionale.
Në njoftimin e tyre në facebook thuhet se bazuar në Planin Strategjik 2021-2025 dhe Planin e Trajtimit të Rreziqeve për vitin 2021, ATK ka hartuar Planin e Veprimit për “Përmirësimin e përmbushjes për Punësimin jo-formal”, ku përmes këtij plani do të kryejë aktivitete intensive me qëllim të identifikimit të personave, të cilët nuk përmbushin detyrimet e tyre për regjistrimin e punëtorëve dhe mbajtjen në burim të Tatimit në Paga dhe Kontributeve Pensionale.
ATK, tregon se aktivitetet e tyre, në vazhdimësi, do të përqendrohen pikërisht te personat, të cilët nuk janë duke përmbushur këtë detyrim ligjor.
“Administrata Tatimore e Kosovës, u bënë thirrje të gjithë personave që të mbajnë në burim Tatimin në Paga dhe Kontributet Pensionale për pagesat që i bëjnë apo të korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor” thuhet në njoftimin e ATK-së.
Ata gjithashtu shtuan se për personat fizikë afarist dhe personat juridikë, të cilët nuk mbajnë tatimin në burim, do të aplikohen ndëshkime administrative, ashtu siç janë përcaktuar me legjislacionin tatimor.
“Mme kryerjen e detyrimeve tatimore, kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore” shkruan tutje njoftimi i ATK-së./Buletini Ekonomik/