Prodhimi i pijeve në Kosovë si sektor ka historinë e tij në prodhimin e pijeve bio nga ato joalkoolike dhe alkoolike. Duke marr parasysh involvimin e zingjirit prodhues, duke filluar nga kultivuesit e pemëve dhe perimeve e deri te prodhuesi i fundit i pijeve, ky sektor ka potencial të madh për zhvillimin ekonomik të vendit.
E gjitha kjo duke u bazuar në burimet e ujit të pijshëm në Kosovë, ku buron uji i thjesht dhe i gazuar si dhe tokat pjellore për mbjelljen dhe fermentimin e pijeve të tjera.
Prodhuesit e pijeve në Kosovë, në bashkëpunim me kultivuesit e pemëve dhe perimeve kanë rritur cilësinë e prodhimit të tyre me 100% bio. Si rezultat i kësaj prodhuesit në vend kanë arritur që prodhimet e tyre t’i eksportojnë në shumë vende të botës duke filluar nga vendet e rajonit, vendet anëtare të BE-së, në SHBA e deri në Shtetet Arabe, shkruan lajmi.net.
Kosova ka një traditë shumë vjeçare në vreshtari dhe njihet me zonat për kultivimin e rrushit dhe fermentimin në pije alkoolike. Vendet ku kultivohet dhe fermentohet më së shumti rrushi janë Rahoveci dhe Suhareka me sipërfaqe rreth 3,000 ha. Vreshtaria konsiderohet si sektor mjaft i rëndësishëm për investime dhe me shumë potencial për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2020, nën sektori “Prodhimi i produkteve të pijeve”, ka 2138 të punësuar në 81 ndërmarrje dhe me qarkullim në vlerë prej 106.22 milion euro.
Punësimi te ky nën sektor, në vitin 2020, ka shënuar rritje për 17% si dhe në numër të ndërmarrjeve për 9%, ndërsa në qarkullim ka shënuar rënie për 10%, krahasuar me vitin 2019.
Siç shihet në tabele në vitin 2020, nën aktiviteti “Prodhim i pijeve freskuese; prodhimi i ujit mineral dhe ujit tjetër në shishe” dominon në të tre indikatorët: në punësim me 51%, në numër të ndërmarrjeve me 46% dhe në qarkullim për 69%. Ky nën aktivitet edhe pse kishte rritje në punësim dhe me numër të ndërmarrjeve, në qarkullim kishte rënie për 3%, në krahasim me vitin 2019.
Nën aktiviteti “Prodhimi i verës nga rrushi”, ka 30% të punësuar në 15 ndërmarrje dhe me qarkullim renditet e treta me 5%. Ky nën aktivitet, në vitin 2020 ka rënie në qarkullim për 18.5%, ndërsa ka shënuar rritje në punësim për 31% dhe në numër të ndërmarrjeve për 15%, në krahasim me vitin paraprak.
Nën aktiviteti “Prodhimi i birrës”, edhe pse ka numër më të vogël në punësim dhe në numër të ndërmarrjeve në qarkullim, radhitet në vendin e dytë me pjesëmarrje prej 24%. Në këtë nën aktivitet qarkullimi ka shënuar rënie për 29%, në krahasim me vitin 2019.
Vlen të theksohet se, nën aktivitetit “Distilimi, rafinimi dhe kombinimi i pijeve” në vitin 2020 ka shënuar rritje në qarkullim për 96%, krahasuar me vitin 2019.
Në nivel regjional, nën aktiviteti “Prodhimi i pijeve freskuese; prodhimi i ujit mineral dhe ujit tjetër në shishe” prin në regjionin e Gjilanit me 40% të punësuar në 11 ndërmarrje dhe në qarkullim me 37%, pasuar nga regjioni i Prizreni me 26% të punësuar në 7 ndërmarrje dhe me qarkullim 43% etj.
Nën aktiviteti “Prodhimi i verës nga rrushi” numrin më të madh të punësuarve e ka në regjionin e Gjakovës me 61% , me numër të ndërmarrjeve 87% dhe me qarkullim 94%.
Eksportet dhe importet në nën sektorin e prodhimit të pijeve
Eksporti në nën sektorin “Prodhimi i produkteve të pijeve”, në vitin 2020, ka shënuar rritje për 3.5% krahasuar me vitin paraprak, po ashtu edhe në vitin 2019 ka shënuar rritje për 4%, krahasuar me vitin 2018.
Importi në këtë nën sektor, në vitin 2020, ka shënuar rënie për 6% krahasuar me vitin paraprak. Ky nën sektor në vitin 2019 kishte rritje për 5%, krahasuar me vitin 2018.
Raporti mes eksportit dhe importit te ky nën sektor është 28%, eksport dhe 72%, import. Bilanci tregtar, te ky nën sektor, ka shënuar përmirësim në eksport për 2%, krahasuar me vitin 2019.
Nga numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve të Sektorit-C, nën sektori “Prodhimi i produkteve të pijeve” ka 0.53% ndërmarrje eksportuese, ndërsa në kuadër të këtij nën sektori, nga 81 ndërmarrje, 97.04% janë eksportuese.
Eksportet me vendet e BE-së, CEFTA-së, EFTA-së dhe vendet tjera
Po sipas statistikave, vlera totale e eksporteve te nën sektori “Prodhimi i pijeve” është 29.66 milion euro. Eksporti me vendet e BE-së është 23%, me vendet e CEFTAsë, 70% me vendet e EFTA-së 4% dhe vendet tjera 3%.
Në vitin 2020 ky nën sektor, ka shënuar rritje për 3.49% krahasuar me vitin 2019. Nën sektori “Prodhimi i pijeve”, ka arritur të eksportoj në vendet e BE-së në vlerë prej 6.77 milion euro. Produktet e këtij nën sektori më së tepërmi janë eksportuar në Bullgari me 25.61% dhe në Kroaci me 25%.
Sa i përket eksportit me vendet e CEFTA-së, produktet e nën sektorit “Prodhimi i pijeve”, më së tepërmi janë eksportuar në Shqipëri me 67% dhe
Maqedoni me 22%. Eksporti me vendet e EFTA-së te ky nën sektorë ka eksportuar vetëm në Zvicër, me vlerë prej 1.16 milion euro, apo për 100%, gjë që e bënë shtetin me të synuar për treg. Ndërsa eksporti me vendet tjera ka shënuar vlerën 991 mijë euro dhe produktet e këtij nën sektori më së tepërmi janë eksportuar në Turqi me 32% dhe SHBA 26%.
Importet me vendet e BE-së, CEFTA-së, EFTA-së dhe vendet tjera
Importi i përgjithshëm, në nën sektorin “Prodhimi i pijeve” është 77.58 milion euro. Importi nga vendet e BE-së është 53%, nga vendet e CEFTA-së 42%, nga vendet e EFTA-së 0.43% dhe nga vendet tjera 4.62%.
Importet, në nën sektorin “Prodhimi i pijeve”, dominohen nga vendet e BE-së, me vlerë prej 41.12 milion euro. Importi i këtyre produkteve më së tepërmi është realizuar nga Bullgaria me 28%, nga Austria me 22%, Sllovenia 14%, Kroacia 9% etj.
Sa i përket importeve me vendet e CEFTA-së, produktet e nën sektorit “Prodhimit i pijeve”, më së tepërmi janë importuar nga Serbia me 43% dhe Maqedonia me 35%. Importi i produkteve
Prodhimi i pijeve me vendet e EFTA-së, është realizuar nga Zvicra me 95%.
Importi me vendet tjera ka shënuar vlerën prej 3.58 milion euro. Produktet e këtij nën sektori më së tepërmi janë importuar nga Turqia me 52% dhe nga Koreja me 18%.
Të dhënat për shkëmbimin tregtar për aktivitetet “Prodhimi i Pijeve”, për vitin 2020, tregojnë se eksporti ka shënuar rritje për 1.89%, derisa importi ka shënuar rënie për normën e njëjtë. /Lajmi.net/