Ekspertët: Kjo duhet të jetë e ardhmja energjetike e Kosovës

Rreth 200 vende të botës u bënë bashkë në Glasgou të Skocisë. Ato e arritën një marrëveshje, por jo krejtësisht atë për të cilën u mblodhën.

Udhëheqësit botërorë u pajtuan për reduktimin e qymyrit, por jo edhe heqjen dorë komplet prej përdorimit të tij.

Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) këtë po e konsideron si mesazh të qartë se Kosova duhet të largohet nga përdorimi i kësaj lënde dhe në të ardhmen furnizimin me energji ta bëjë përmes burimeve tjera të ripërtrirëshme.

Reklama e sponzorizuar

95 për qind të energjisë elektrike në vend prodhohet nga djegia e qymyrit në dy termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”. Ndërkaq, vetëm 5 për qind e energjisë prodhohet nga hidrocentralet, era dhe panelet diellore.

“Kosova ashtu si vendet e tjera, duhet që të fokusohet në investime të reja, në projekte të cilat bazohen në gjenerim të energjisë elektrike përmes burimeve të ripërtrirëshme të energjisë. Me BRE-të Kosova arrin katër qëllime, dekarbonizimin e sektorit të energjisë, shmangje nga krizat globale ekonomike dhe energjetike, nxitje të digjitalizimit si dhe krijim të vendeve të reja të punës. Kosova është e shtrirë në një pozitë shumë të favorshme gjeografike dhe ka avantazhe ndaj kushteve atmosferike përmes të cilave do të mund të gjenerohej energji elektrike”, u shpreh Abazi për “Front Online”.

Sipas ASK-së, vetëm në tre mujorin e tretë të 2021-s, korrik, gusht, shtator, Kosova prodhoi 1.8 milionë ton thëngjill.

Valon Raka nga organizata për mbrojtjen e mjedisit, “Gjethi” thotë për “Front Online” se Kosova duhet të largohet nga ky burim i paripërtëritshëm.

Sipas tij, vendi duhet të fokusohet kah burimet e ripërtrirëshme, dielli e era.

“Ne duhet të fokusohemi te burimet e ripërtrirëshme: tek dielli dhe era. E dijmë që në Kosovë janë shumë të kufizuara procedurat për marrjen e lejes për energji solare. Sa i përket erës: i kemi dy lokacione – centrale të erës, në Mitrovicë e Kamenicë. Duhet t`i shtojmë kapacitetet. Qeveria është në njëfar mjegulle. Qeveria të fokusohet në energjinë e ripërtëritshme: erë dhe diell. Kosova duhet të bëjë vlerësim të te gjitha resurseve të saj. Të vendosë për hidrocentralet, a do t`i ndalë krejt apo do të bëjë zonim me i përdorë në ato zona ku nuk e dëmtojnë ekosistemin”, u shpreh Raka.

Qeveria u mor dje pikërisht me sektorin e Energjisë. Ajo prezantoi grupin punues për Strategji të Energjisë 2022-2031.

Aty, Ministria e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e bëri të qartë synimin për dekarbonizim e energji të pastër në 10 vjetët e ardhshme.

“Për këtë arsye ne kemi marrë përsipër detyrën e rëndësishme e zhvillimit të një strategjie kombëtare të energjisë dhe identifikimin e planeve të veprimit në mënyrë që sektori jonë i energjisë të niset për një tranzicion të drejtë energjetik, do të ruajë sigurinë e furnizimit, do të promovoj energjinë e pastër dhe bashkëpunimin rajonal, në radhë të parë me Shqipërinë, por edhe me vendet e tjera”, u shpreh ajo.

Ish-kryeshefi i Agjensioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Ilir Morina tregon për “Front Online” se çka duhet të përfshihet në strategjinë e qeverisë.

“Kosova duhet menjëherë të fillojë me ndryshim, përmirësimin e legjislacionit, strategjisë së energjisë dhe strategjisë së mjedisit bazuar në vendimet e COP26. Vendi ynë fuqishëm duhet të orientohet në potencialet energjetike të ripërtrishme – dmth miqësore – me mjedisin. Energjia solare, e erës, ajo gjeotermale, biomasa dhe mbeturinat do të duhej të përfshiheshin në strategji, për të arritur caqet deri në vitin 2030”, u shpreh Morina.

Morina beson se Kosova ka kapacitete për shfrytëzimin e burimeve alternative.

“Lidhur me kapacitetin nëse përllogaritën mirë në bazë të një ekspertize adekuate munden me prodhu 1000 megawat pa problem, sidomos diell dhe centrale ere”, tha ai.

E hulumtuesi Abazi thotë se Strategjisë për Energji duhet t`i paraprijnë studimet e ndryshme të fizibilitetit.

“Për Kosovën është shumë me rëndësi që hartimi i Strategjisë së Energjisë të paraprihet nga studime të ndryshme të fizibilitetit që tregojnë potencialin por edhe kombinimet e ndryshme të BRE-ve që garantojnë furnizim të qëndrueshëm në harmoni me ambientin por edhe me çmim të përballueshëm për konsumatorët. Andaj pa dyshim që fokusi primar i kësaj strategjie duhet të jenë BRE-të, integrimi i tyre në rrjetin energjetik të Kosovës dhe largimi me hapa të ndjeshëm nga përdorimi i thëngjillit. Deri në dekarbonizimin e plotë”, u shpreh Abazi i INDEP.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonelata linjit dhe është vendi i pestë në botë për nga sasia.

Ky resurs disa herë është vlerësuar se shkakton ndotje shkaku i djegies së tij nga termocentralet Kosova A dhe Kosova B, e po ashtu edhe nga bizneset dhe shtëpitë private.

Kjo vlerësohet si arsyeja kryesore pse Kosova duhet të heq dorë nga përdorimi i tij.

Ndryshe, që prej Marrëveshjes së Parisit për klimën, më 2015, janë mbyllur shumë uzina qymyri në botë.