IEA parashikon një lehtësim të mundshëm për çmimet stratosferike të naftës, ndërsa SHBA rrit prodhimin

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) tha të martën se çmimet stratosferike të naftës së shpejti mund të bien pasi SHBA-ja po udhëheq rikthimin e ofertës globale.

Çmimet e naftës janë rritur në mbi 80 dollarë për fuçi gjatë javëve të fundit, duke arritur nivelin më të lartë në shtatë vitet e fundit, pasi kërkesa ka tejkaluar ofertën. Situata pas rritjes së çmimeve ka tunduar madje disa parashikues që të projektojnë një kthim në naftën “100 dollarë për fuçi”, megjithëse jo të gjithë e ndajnë këtë pikëpamje.

“Tregu botëror i naftës mbetet i shtrënguar nga të gjitha masat, por një lehtësim për sa i përket rritjes së çmimeve mund të jetë në horizont,” tha IEA në raportin e saj monitorues të përmuajshëm.

Reklama e sponzorizuar

“Ndryshe nga shpresa e shprehur në Glasgow në COP26, kjo nuk ndodh për shkak të rënies së kërkesës, por vjen si rrjedhojë e rritjes së furnizimit me naftë.”

Kërkesa për naftë po forcohet gjithashtu, për shkak të konsumit të lartë të benzinës dhe shtimit të udhëtimeve ndërkombëtare në një kohë që shumë vende po i rihapin kufijtë e tyre, tha agjencia prestigjoze e energjisë.

Çmimet më të larta të naftës, aktiviteti më i dobët industrial dhe një rishfaqje alarmante e infeksioneve Covid-19 në Europë, megjithatë, ka të ngjarë të lehtësojnë rritjen e çmimeve, shtoi grupi.

Kontrat e ardhshme për naftën e papërpunuar sipas standardit ndërkombëtar Brent u tregtuan me 82,58 dollarë për fuçi mëngjesin e së martës në Londër, me një rritje rreth 0,6%, ndërsa kontratat e ardhshme West Texas Intermediate në SHBA ishin 81,28 dollarë, mbi 0,5% më shtrenjt.

IEA e mbajti kryesisht të pandryshuar nga muaji i kaluar parashikimin e saj për rritjen e kërkesës për naftë në 5.5 milionë fuçi në ditë për vitin 2021 dhe 3.4 milionë fuçi në ditë për vitin 2022.

“Oferta është më në fund në rritje”

“Ndërsa po shkojmë drejt fundit të vitit, ne presim një rritje të fortë e të vazhdueshme të kërkesës, por oferta më në fund është në rritje”, tha të martën Toril Bosoni, analist i tregut të naftës në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë, për “Street Signs Europe” të CNBC-së.

“Pra, OPEC+ po vazhdon të reduktojë mungesat e tij, por po shohim gjithashtu furnizime më të larta nga prodhuesit e tjerë jashtë grupit dhe kështu shohim që tregu po i afrohet ekuilibrit.”

IEA tha se priste një rritje prej 1.5 milionë fuçi në ditë në prodhimin global të naftës në tre muajt e fundit të vitit, ku vetëm SHBA-ja do të kishte 400,000 fuçi të kësaj rritjeje.

Lideri i OPEC-ut, Arabia Saudite dhe lideri jo-anëtar i OPEC-ut, Rusia, do të kontribuojnë secila me rreth 330,000 fuçi në ditë në rritjen e parashikuar, në përputhje me objektivat e tyre të OPEC+. Deri në dhjetor, Arabia Saudite dhe Rusia do të mund të prodhojnë mbi 10 milionë fuçi në ditë secila, për herë të parë që nga prilli i vitit të kaluar, tha IEA.

Agjencia e energjisë e rishikoi parashikimin e saj të furnizimit global të naftës me 330,000 fuçi në ditë më shumë për tremujorin e katërt, duke arritur në 99.2 milionë fuçi në ditë deri në fund të vitit. Kjo është 6.4 milionë fuçi në ditë më shumë nga viti në vit.

SHBA-ja parashikohet të ketë 60% të rritjes së ofertës jashtë OPEC+ vitin e ardhshëm, që tani parashikohet në 1.9 milionë fuçi në ditë, megjithëse vendi nuk pritet të kthehet në nivelet e para Covid-it deri në fund të 2022.

IEA tha se ndërsa çmimet më të larta të naftës kishin shtyrë disa prodhues amerikanë të rrisin prodhimin, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për OPEC+.

Aleanca e energjisë vendosi ta mbajë të qëndrueshme politikën e prodhimit në fillim të nëntorit, duke rritur prodhimin me 400,000 fuçi në ditë, duke sfiduar presionin nga konsumatorët kryesorë që kërkonin një rritje më të lartë për të ndihmuar në relaksimin e tregut.

Grupi i prodhuesve të naftës do të takohet sërish më 2 dhjetor.