Gjatë ditës së djeshme në qytetin e Gjakovës është inauguruar impianti i parë i ngrohjes me biomasë në Kosovë, projekt ky i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe komuna e Gjakovës.
Ky projekt i ngrohjes me biomasë, sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, ka për qëllim përmirësimin e sistemit të ngrohjes së qytetit si dhe pritet të ndikojë pozitivisht në mjedis përmes sigurimit të cilësisë më të mirë të ajrit në qytet, funksionimit më efikas të sistemit të ngrohjes qendrore dhe sigurimit të ngrohjes së qëndrueshme për qytetarët e Gjakovës, përcjell Buletini Ekonomik.
Ministrja Rizvanolli gjatë inaugurimit ka deklaruar që ekonomitë familjare në Kosovë konsumojnë 40% të energjisë në vend dhe shumica e saj dedikohet për qëllime të ngrohjes. Prandaj, projekte të tilla të cilat sigurojnë ngrohje qendrore për banorët e Kosovës janë me prioritet dhe rëndësi të lartë.
Gjatë inaugurimit prezent kanë qenë Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, si dhe U.D Drejtoresha Ekzekutive e Ngrohtores së Gjakovës, Albana Skivjani. /Buletini Ekonomik/