IRENA: Vendet e punës për energjinë e ripërtëritshme arritën në 12 milionë në mbarë botën më 2020

Instalimi i paneleve diellore mbi shtëpi

Një raport nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Rinovueshme (IRENA) dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ka nënvizuar potencialin e punësimit të një strategjie ambicioze klimatike dhe bën thirrje për politika gjithëpërfshirëse në mbështetje të një tranzicioni të drejtë.

Punësimi në energjinë e ripërtëritshme ka arritur në 12 milion në vitin 2020, nga 11.5 milion sa ishte në 2019, sipas edicionit të tetë të raportit Energjisë së Rinovueshme dhe Punësimit: Rishikimi Vjetor 2021. Raporti përshkruan gjithashtu numrat e punësimit në këtë sektor deri në vitin 2030, me vlerësimet që tregojnë një avantazh të madh në lidhje me vendet e punës të fituara kundrejt atyre të humbura.

Raporti konfirmon se COVID-19 shkaktoi vonesa dhe ndërprerje të zinxhirit të furnizimit, me ndikime në punë që ndryshojnë sipas vendit dhe përdorimit përfundimtar, dhe mes segmenteve të zinxhirit të vlerës.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa vendet e punës në energjinë solare dhe të erës vazhduan të udhëheqin rritjen globale të punësimit në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, duke llogaritur respektivisht një total prej 4 milion dhe 1.25 milion vende pune, punësimi i biokarburanteve të lëngshme u ul ndërsa kërkesa për karburante transporti ra.

Tutje, shitjet e ndriçimit diellor jashtë rrjetit pësuan, por kompanitë ishin në gjendje të kufizonin humbjet e vendeve të punës, është theksuar në raport.

Vendet të cilat udhëheqën tregun e punës në energjinë e ripërtëritshme

Kina ka udhëhequr me 39% të vendeve të punës në energjinë e ripërtëritshme në mbarë botën në vitin 2020, e ndjekur nga Brazili, India, Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e Bashkimit Evropian.

Mirëpo, edhe shumë vende të tjera po krijojnë gjithashtu vende pune në zhvillimin e projekteve të burimeve të ripërtëritshme.

Midis tyre janë Vietnami dhe Malajzia, eksportuesit kryesorë të PV diellore; Indonezia dhe Kolumbia, me zinxhirë të mëdhenj të furnizimit bujqësor për biokarburantet; dhe Meksika dhe Federata Ruse, ku fuqia e erës po rritet.

Ndërkaq, në Afrikën Sub-Sahariane, vendet e punës në energjinë solare po zgjerohen në vende të ndryshme si Nigeria, Togo dhe Afrika e Jugut.

“Aftësia e energjisë së ripërtëritshme për të krijuar vende të reja të punës për të plotësuar objektivat klimatik është e pabesueshme. Me COP26 para nesh, qeveritë duhet të plotësojnë ambiciet e tyre për të arritur net zero”, tha Franceso la Camera, drejtori gjeneral i IRENA.

“E vetmja rrugë përpara është për të rritur investimet në një tranzicion të drejtë dhe përfshirës, duke korrur të gjitha benefitet socioekonomike gjatë rruges”, ka thënë la Camera.

“Potenciali për energjitë e ripërtëritshme të gjenerojnë punë të denjë është një indikacion i qartë që ne nuk duhet të zgjedhim në mes të qëndrueshmërisë së mjedisit në njërën anë, dhe krijimit të vendeve të punës në anën tjetër. Këto dyja mund të shkojnë së bashku”, tha drejtori gjeneral i ILO, Guy Ryder.

IRENA në raport poashtu thekson rëndësinë e barazisë gjinore në sektor

Duke pranuar që gratë vuajtën më shumë nga pandemia, sepse ato priren të punojnë në sektorë më të cenueshëm ndaj goditjeve ekonomike, raporti thekson rëndësinë e një tranzicioni të drejtë dhe punëve të mira për të gjithë, duke siguruar që vendet e punës të paguajnë një pagë jetese, vendet e punës të jenë të sigurta dhe të drejtat në punë respektohen.

Një tranzicion i drejtë kërkon një fuqi punëtore që është e larmishme – me shanse të barabarta për gratë dhe burrat, dhe me shtigje karriere të hapura për të rinjtë, pakicat dhe grupet e margjinalizuara. Standardet Ndërkombëtare të Punës dhe marrëveshjet e negociatave kolektive janë vendimtare në këtë kontekst.

ILO: 24-25 milionë vende të reja pune do të tejkalojnë humbjet prej gjashtë deri në shtatë milionë vende pune në sektorin e energjisë

Përmbushja e potencialit të vendeve të punës për energjinë e ripërtëritshme do të varet nga politikat ambicioze për të nxitur tranzicionin e energjisë në dekadat e ardhshme.

Përveç vendosjes, mundësimit dhe integrimit të politikave për vetë sektorin, ekziston nevoja për të kapërcyer barrierat strukturore në ekonominë më të gjerë dhe për të minimizuar mospërputhjet e mundshme midis humbjeve të vendeve të punës dhe fitimeve gjatë tranzicionit.

Në të vërtetë, puna e IRENA dhe ILO zbulon se më shumë vende pune do të fitohen sesa që do të humben nga tranzicioni i energjisë. Një skenar i qëndrueshmërisë globale i ILO-s deri në vitin 2030 vlerëson se 24-25 milionë vende të reja pune do të tejkalojnë humbjet prej gjashtë deri në shtatë milionë vende pune.

Rreth pesë milionë nga punëtorët që humbasin punën e tyre do të jenë në gjendje të gjejnë punë të reja në të njëjtin profesion në një industri tjetër.

Perspektiva e Tranzicionit të Energjisë Botërore të IRENA-s parashikon se sektori i energjisë së rinovueshme mund të punësojë 43 milionë deri në vitin 2050.

Mirëpo, sipas organizatave kjo do të kërkojë politika industriale për të formuar zinxhirë të qëndrueshëm furnizimi; strategjitë e edukimit dhe trajnimit për të krijuar një fuqi punëtore të kualifikuar; masa aktive të tregut të punës për të ofruar shërbime adekuate punësimi; rikualifikimi dhe ricertifikimi së bashku me mbrojtjen sociale për të ndihmuar punëtorët dhe komunitetet e varura nga lëndët djegëse fosile; dhe strategjitë e investimeve publike për të mbështetur zhvillimin dhe diversifikimin ekonomik rajonal./kosovo.energy/

Raportin e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.