Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike, KESCO, përmes një komunikate për media njoftoi se janë duke respektuar kontratën që kanë me Ferronikelin, e cila parasheh që energjia elektrike e prodhuar nga KEK-u fillimisht të ketë prioritet konsumatorët e rregulluar, në përputhje me udhëzimet e përcaktuara nga ZRRE, duke bërë akuzën e tyre të pabazë sipas KESCO.
Në këtë mënyrë, KESCO ka sqaruar se Ferronikeli është konsumator i derregulluar që nga viti 2017, i cili në mungesë të furnizimit vendor, kompania është e detyruar të hyjë në tregjet e huaja të energjisë elektrike për të importuar energji elektrike, në tregje të cilat muajt e fundit çmimet janë katër apo pesëfishuar duke bërë që kompania të ndërprej punën për një afat të pacaktuar që nga data 8 tetor 2021.
Reagimi i plotë:
KESCO sqaron se Ferronikeli është konsumator i parregulluar që nga viti 2017. Pra, ky konsumator ka të drejtë të zgjedhë furnizuesin prej të cilit mund të blejë energjinë elektrike që konsumon. Vendimi për t’u furnizuar me tarifa të parregulluara në një treg të hapur është marrë nga institucionet e vendit si një vijimësi e liberalizimit të tregut të energjisë.
Për qëllime sqarimi, blerja e energjisë elektrike nga KEK-u është me prioritet për konsumatorët e rregulluar së pari, në përputhje me udhëzimet e nxjerra nga ZRRE. Duke pasur parasysh se prodhimi i KEK-ut nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat e konsumatorëve të rregulluar, energjia elektrike për Ferronikel është blerë nga importi, konform kontratës së rënë dakord midis palëve.
Meqenëse çmimet e importit janë aktualisht shumë të larta, kompania është e prekur drejtpërdrejt nga këto çmime që kanë goditur pothuajse të gjithë Evropën. Prandaj, me siguri të plotë mund të themi se KESCO është duke respektuar kontratën që ka me Ferronikelin, dhe akuza drejtuar KESCO-s është e pabazuar.