Kosova bëhet pjesë e Tregut të Përbashkët Evropian

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se tashmë Kosova është bërë pjesë e Programit të Tregut të Përbashkët Evropian (Single Market Program).

Përmes këtij programi, iu hapet mundësia kompanive kosovare, përfshirë këtu edhe shoqatat e ndryshme të biznesit, që të aplikojnë dhe në të njëjtën kohë edhe të përfitojnë nga thirrjet që ky program ofron për bizneset evropiane, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Single Market Program apo Programi për Treg të Përbashkët Evropian synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (SME), mbrojtjen e konsumatorit përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave si dhe përmirësimin e sektorit financiar, bëjnë të ditur tutje nga ministria.

“Hapet mundësia për përfitim nga Programi i Tregut të Përbashkët (EU Single Market Program), me financim nga Bashkimi Evropian. Nga tani kompanitë kosovare përfshirë edhe shoqatat e bizneseve mund të aplikojnë në thirrjet e hapura nga Programi i Tregut të Përbashkët”, thuhet në njoftimin e MINT.

I gjithë Programi i Tregut të Përbashkët pritet të mbështesë sektorët e sipërpërmendur me një buxhet prej 4.2 bilionë euro për periudhën 2021-2027.

Kurse për format e aplikimit, ministria thotë se ditëve në vazhdim do t’iu ofrojnë informacione shtesë qytetarëve.

Ky Program i Tregut të Përbashkët (EU Single Market Program), është financim nga Bashkimi Evropian. /Buletini Ekonomik/