Ministria e Financave ka thënë se komuna e Vitisë nuk e ka siguruar buxhetin e nevojshëm dhe se pagat janë ekzekutuar vetëm për një pjesë të punonjësve të komunës.
MF thotë se disa komuna kanë filluar te kenë mungesë buxheti në kategorinë e pagave si pasojë e rasteve përmbarimore. Ministria shton se i kanë njoftuar me kohë komunat që e kanë këtë problem dhe se përveç Vitisë të gjitha komunat i kanë bërë korrigjimet dhe përshtatjet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm.
“Përkundër që buxheti për paga ndahet asisoj që të mbulojë shpenzimin për tërë vitin, si pasojë e rasteve përmbarimore, disa komuna kanë filluar të kenë mungesë buxheti në kategorinë e pagave qysh tani. Thesari i Kosovës ka njoftuar me kohë komunat të cilat janë ballafaquar me këtë problem që të bëjnë korrigjimet dhe përshtatjet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutimin e pagave të muajit shtator, dhe të gjitha komunat e kanë bërë përpos njërës. Komuna e vetme që nuk e ka bërë këtë rregullim është Vitia, e cila ka lënë programet e arsimit fillor dhe të mesëm pa buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të pagave të shtatorit. Me qëllim që të mundësohet ekzekutimi i pagave për të gjithë punonjësit e komunës, Thesari i ka dërguar në vazhdimësi njoftime Komunës së Vitisë, përfshirë edhe ditën e djeshme, të cilëve u është dhënë mundësia gjatë gjithë ditës duke i pritur që t’i bëjnë rregullimet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të plotë të pagave.”
MF bën të ditur se pagat janë ekzekutuar për zyrën e kryetarit, administratën dhe programe tjera, ndërsa jo për programet e arsimit fillor dhe të mesëm.
“Megjithatë, zyrtarët e Komunës së Vitisë nuk kanë reflektuar, gjë që nënkupton se kur është bërë ekzekutimi i pagave sot, sistemi me automatizëm i ka refuzuar ekzekutimet për programet që nuk kanë buxhet të mjaftueshëm. Pra, për zyrën e kryetarit, administratën dhe programet tjera sistemi ka bërë ekzekutimin e pagesave, por jo edhe për programet e arsimit fillor e të mesëm, sepse komuna nuk është siguruar që në këto dy programe ka buxhet të mjaftueshëm.”
Ministria ka thënë se është e gatshme të bëjë riekzekutim të pagave kurdo që komuna i bën përshtatjet e nevojshme dhe e siguron buxhetin e mjaftueshëm.
“Duke qenë të vetëdijshëm për situatën e të punësuarve dhe nevojën për të pranuar pagën e tyre, MFPT është e gatshme që kurdo që Komuna e Vitisë bën përshtatjet e nevojshme dhe siguron buxhetin e mjaftueshëm, të bëjmë një ri-ekzekutim të pagave vetëm për këto dy programe.”