Kosova deri tash ka mbjellë 60 për qind të 75 mijë hektarëve të planifikuar me grurë

Është shpresëdhënës synimi që sivjet të mbillen 70 deri në 75 mijë hektarë me kulturën e grurit. Por, mbetet çështje mjaft preokupuese realizimi i këtij synimi pasiqë deri më tani në këtë vit janë mbjellur vetëm rreth 60 për qind të sipërfaqeve të planifikuara, sipas të dhënave të MPBZHR-së.

Blendrita Avdiu

Gjatë këtij viti në Kosovë kanë qenë të mbjellura gjithsej 72 mijë e 272 hektarë sipërfaqe me grurë. Duke u bazuar edhe në të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, del që kultura e grurit zë bindshëm pjesën më të madhe të sipërfaqeve të mbjella me drithëra në vend.

Reklama e sponzorizuar

Sipërfaqja e mbjellë me grurë në Kosovë, ende lëvizë, thuaja nga viti në vit- herë kultivohet në më shumë hektarë gruri, herë bindshëm më pak. Bie fjala, sipas statistikave nga MPBZHR-ja në vitin 2015 në Kosovë kanë qenë të mbjellura rreth 82 mijë hektarë me grurë, ndërsa në vitin 2019, gruri është kultivuar në vetëm 53 mijë hektarë. Sivjet, pra, sado, që është shtuar ndjeshëm sipërfaqja e mbjellë me këtë drith, i konsumuar në sasi të theksueshme në vend, është goxha nën sipërfaqet e mbjella më 2015-n.

Sidoqoftë, sipërfaqet e shtuara me grurë janë trimëruese dhe flasin për tendencën e rritjes së kultivimit të këtij drithi, me rëndësi strategjike për ecuritë zhvillimore të vendit. Po kështu, është shpresëdhënës synimi që sivjet të mbillen 70 deri në 75 mijë hektarë me kulturën e grurit. Por, mbetet çështje mjaft preokupuese realizimi i këtij synimi pasi që deri më tani në këtë vit janë mbjellur vetëm rreth 60 për qind të sipërfaqeve të planifikuara, gjithnjë sipas të dhënave të MPBZHR-së.

Pra, ngecjet janë evidente në mbjellje, përkundër mbajtjes së kohës së mirë. Por, sadoqë  afati optimal për mbjelljet vjeshtore në Kosovë, siç dihet, gjithmonë ka qenë muaji tetor deri në fillim të nëntorit, nga MBPZHR-ja thonë se edhe pas kësaj date, mbjelljet mund të realizohen nëse kushtet klimatike janë të favorshme.

Edhe pas kalimit të këtij afati të përcaktuar për mbjellje, Ministria e Bujqësisë u rekomandon fermerëve që të vazhdojnë mbjelljen e grurit, mirëpo, gjithsesi, duke shtuar sasinë e farës në masën prej 10 deri në 15 për qind më shumë, por edhe të plehut mineral përtej normës së paraparë.

Në bazë të informacioneve të marra nga terreni, Ministria pohon se fermerët kosovarë e kanë shfrytëzuar kohën e mirë që ka mbretëruar këto ditë dhe kanë pasur angazhim maksimal për realizmin e mbjelljeve vjeshtore konform planifikimeve të tyre.

Sipas vlerësimeve të fermerëve, sasia e nevojshme e farës së grurit për mbjelljen e sipërfaqeve me grurë të planifikuar, si dhe sasia e nevojshme e plehrave, ka qenë e mjaftueshme.

Materiali riprodhues, farërat dhe plehrat minerale, shumica absolute e sasisë së tyre është siguruar nga importi, pasi që Kosova ende prodhon vetëm 10-15 për qind të farës së grurit të nevojshme. Plehrat minerale, madje të tërat sigurohen vetëm nga importi.

Në MBPZhR theksojnë se çmimi i farës së grurit ka qenë përafërsisht i njëjtë sikurse edhe viteve të kaluara, ndërsa çmimi i plehrave ka qenë më i lartë në raport me vitet tjera deri në masën prej 60 deri 70 për qind. Këto çmime i ka diktuar tregu, oferta dhe kërkesa dhe është rezultat i rritjes së çmimit në nivel global.

Edhe sivjet, siç theksojnë në këtë ministri, nuk ka munguar mbështetja e fermerëve. Përkrahja e tyre ka vazhduar edhe në këtë vit përmes dy programeve: Programit të Pagesave Direkte (Subvencioneve) dhe Programit të Projekteve të Zhvillimit Rural (Granteve).

“Në kuadër të kësaj mbështetje, sektori i drithërave, e konkretisht nënsektori i grurit është trajtuar me prioritet dhe ky nënsektor është përkrahur që nga fillimi përmes Programit të Pagesave Direkte (Subvencioneve). Po ashtu, MBPZhR-ja përmes Departamentit të Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike, në vazhdimësi organizon takime me fermerët dhe një prej qëllimeve është sensibilizimi i fermerëve për të mbjellë sa më shumë sipërfaqe të tokës bujqësore dhe njëkohësisht për të aplikuar në MBPZhR me qëllim që të kenë përkrahjen në kuadër të programeve mbështetëse që ka Ministria”, thonë nga MBPZhR për Buletinin Ekonomik.

Me rritjen apo zvogëlimin e sipërfaqeve të mbjella me kultura bujqësore, përkatësisht grurë, ndikojnë disa faktorë si kushtet klimatike në sezonin e mbjelljes, çmimet e agro inputeve bujqësore,  kërkesat në treg për produktin, çmimi i produktit, përkrahja nga ana e institucioneve.

Ndryshe, nga gruri i mbjellë, Kosova deri viteve të fundit ka siguruar vetëm 30 deri 40 për qind të konsumit vendor, ndërsa pjesa tjetër mbulohej gjithmonë nga importi, që kryesisht vinte nga Serbia dhe vendet e rajonit.

Gjatë pesë viteve të fundit (që nga 2015-ta), Kosova është shquar si vendi që vazhdimisht  i ka zvogëluar tokat e mbjella me drithëra. Kjo kishte ndodhur si pasojë edhe e kushteve klimatike, më konkretisht thatësisë në vend, por edhe nga politikat joadekuate për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, migrimi si dhe çmimi jo i leverdishëm i grurit për fermerët. Mbetet të shohim sivjet a do të arrihet që të mbillen sipërfaqet e planifikuara, që kanë tendencë rritjeje në krahasim me 2019-n./Buletini Ekonomik/