Mikrondërmarrjet mbizotërojnë tregun e bizneseve të reja të regjistruara në Kosovë

Në tremujorin e tretë të këtij viti, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 2 mijë e 479 ndërmarrje të reja, prej të cilave numrin më të madh e përbëjnë mikrondërmarrjet deri në 10 të punësuar.

Nga gjithsej 2 mijë e 479 biznese të reja, 2 mijë e 450 ishin mikrondërmarrje të reja të regjistruara për vetëm tre muaj, derisa ato të voglat, të mesmet dhe ndërmarrjet e mëdha shënuan një numër shumë të vogël.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti (prill-maj-qershor), në tremujorin e tretë të 2021 ka pasur një rënie për -11.8% të ndërmarrjeve të regjistruara, ndërsa në krahasim me peridhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2020) ka një rënie për -4.4%.

Reklama e sponzorizuar

Rrjedhimisht, gjatë muajve korrik-gusht-shtator, mikrondërmarrjet mbizotëruan tregun e bizneseve të reja në Kosovë me gjithsej 98,8% të tregut, ndërmarrjet e vogla me një numër prej 23 apo 0,9%, ndërmarrjet e mesme u regjistruan vetëm dy apo 0,1%, dhe ndëramrrje të mëdha u regjistruan katra apo 0,2% të tregut, përcjell Buletini Ekonomik.

Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori për ndërmarrjet e reja të regjistruara ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave me 625 ndërmarrje të regjistruara (25.21%), fusha e Akomodimit dhe aktiviteteve të shërbimeve me ushqim u ngrit me 295 ndërmarrje të regjistruara (11.9%), Prodhimi me 249 ndërmarrje të regjistruara (10.04%), Aktivitetet e shërbimeve të tjera me 222 ndërmarrje të regjistruara (8.96%), si dhe Ndërtimtaria me 206 ndërmarrje të regjistruara (8.31%), etj.

 

Në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar ishin gjithsej 2 mijë e 401 ndërmarrje të regjistruara, në këtë tremujor (96.8%), me 5 deri 9 të punësuar ishin 53 sosh (2.1%), me 10 deri në 19 të punësuar ishin 20 ndërmarrje të regjistruara (0.8%), me 20 deri 249 të punësuar ishin 3 ndërmarrje të regjistruara (0.1%), kurse në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar, ishin vetëm dy ndërmarrje të regjistruara.

Prej të gjitha këtyre ndërmarrjeve të regjistruara në tremujorin e tretë të këtij viti, shumica prej tyre iu takonin pronarëve meshkuj prej 1 mijë e 782 biznese, ndërsa pjesa e mbetur prej 576 ndërmarrjeve kishin pronare femrat, apo në përqindje 71,88% përkatësisht 23,24%. Ndërsa, ndërmarrje të regjistruara në bashkëpronësi të përzier, meshkuj-femra, ishin 121 ndërmarrje ose 4,9%.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotërojnë komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe Ferizajt.

Komuna e Prishtinës shënoi 759 ndërmarrje të regjistruara (30.6%), Prizreni me 190 ndërmarrje të regjistruara (7.6%), Ferizaj me 188 ndërmarrje të regjistruara (7.5%), Fushë Kosova me 140 ndërmarrje të regjistruara (5.6%), Peja me 134 ndërmarrje të regjistruara (5.4%), Gjilani me 124 ndërmarrje të regjistruara (5%), Gjakova me 114 ndërmarrje të regjistruara (4.6%), ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.

Ndërkohë, sa i përket prejardhjes së kapitalit të ndërmarrjeve të regjistruara, shumica prej tyre janë kapital vendor, pra 2 mijë e 383 janë kapital vendor, kurse vetëm 20 janë me kapital të huaj.

Gjithashtu, ka pasur edhe prej atyre bizneseve që nuk i kanë mbijetuar ndryshimeve në tregun e bzinesit. Gjithsej 329 biznese kosovare janë shuar në këtë tremujor. Shuarja më e e madhe e ndërmarrjeve nëpër komuna ishte në Prishtinë ku u shuan 59 biznese, në Prizren 45, në Mitrovicë 27, në Ferizaj 18, dhe në komunat e tjera një numër më i paktë./Buletini Ekonomik/