Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti është shqyrtuar raporti me amendamente për Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburantet e ripërtërishme.
Gjatë mbledhjes u diskutua rreth faktit se kush duhet të jetë organi kompetent për kontrollin e cilësisë së naftës që futet në Kosovë, mes dilemave pozitë-opozitë, se përgjegjëse duhet të jetë Qeveria përkatësisht Dogana e Kosovës, përcjell Buletini Ekonomik.
Kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala u shpreh se si komision janë në fazën përmbyllëse të hartimit të këtij projektligji për naftën në Kosovë. Shala tha se Dogana duhet të jetë kompetente mbikëqyrëse për këtë fushë, pasi sipas tij Dogana nuk e cënon çështjen e konkurrencës e as nuk ndërhyn në vendimet e Qeverisë.
Ndërkaq, deputeti nga LVV-së, Driton Hyseni theksoi bindshëm se kontrolli i cilësisë së naftës duhet t’i takoj Qeverisë dhe ministrisë përkatëse.
“Ideja është që t’i lihet ministrisë diskrecionin sepse fundja ata do të japin përgjegjësi para qytetarëve për cilësinë e naftës”, tha Hyseni.
Ndërsa, kryetari i komisionit, Shala iu përgjigj deputetit të pozitës, se me këtë qasje po e humbasim besimin në Doganën e Kosovës dhe çështja në fjalë po i lihet në dorë vetëm një ministri të marrë vendime.
“Ne po ja humbim besimin Doganës dhe pse me ja lanë ministrit që me favorizuar një apo dy laborant për me u marrë me cilësinë e naftës”, u kundërpërgjigj Shala.
Edhe nga partia e AAK-së u tha se zgjidhja më e mirë është që vet Dogana të merret me kontrollin cilësinë e naftës në vend.
Pal Lekaj nga kjo parti, u shpreh se “nga praktikat që kemi pasur deri tani nuk ka qenë mirë që u kemi lënë individëve të caktuar përgjegjësinë dhe të mos i lihet një individi të caktuar me manipuluar apo me qenë fontanë dëshirash”.
“Çdo Qeveri që ka ardhur ka vepruar sipas dëshirës së vet dhe jo për interes të përgjithshëm për inspektimin e cilësisë së naftës. Më mirë është t’i lihet Doganës sesa laborantëve të caktuar, pajtohem me kryetarin që më mirë të mos t’i lihet ministrit”, ka thënë Lekaj. /Buletini Ekonomik/