Ministri i Financave, Hekuran Murati, në mbledhjen e sotme të Komsionit për Buxhet dhe Financa, ku u miratua projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2022, ka treguar se tashmë kanë filluar punimet për studimin e fizibilitetit për projektin e rrugës Prizren -Tetovë.
Gjatë diskutimit për ndarjet buxhetore për projektet kapitale, deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti pyeti ministrin rreth buxhetit final për përfundimin e projektit të rrugës Prizren-Tetovë, pasi në projktbuxhetin e prezantuar nga Qeveria për vitin 2022 janë të parapara vetëm 12.9 milionë euro për tri vitet e ardhshme.
Sipas Hotit, 12.9 milionë euro janë të buxhetura komplet për ndërtimin e kësaj rruge, ku 400 mijë euro janë të parapara për vitin 2022, 5 milionë euro tjera për vitin 2023 dhe 7.5 milionë për vitin 2024.
Ndërkohë, ministri Murati tregoi se sa i përket rrugës Prizren-Tetovë tashmë kanë filluar punimet rreth studimit dhe përgatitjes së studimit dhe dizajnit, mirëpo buxheti që është i prezantuar në projektligj nuk është buxheti final i kësaj rruge, përcjell Buletini Ekonomik.
Duke iu referuar deputetëve në Komision, ai u shpreh se “duhet ta keni parasysh që insfrastruktura ndërlidhëse me vendet rajonale është diçka që mbështetet edhe me fonde, pra nga institucionet financiare ndërkombëtare, por mbështetet edhe nga fondet e Bashkimit Evropian.
Sipas tij, e gjithë shuma e ndërtimit të kësaj rruge që lidh dy shtetet nuk do të financohet vetëm nga buxheti apo vetëm nga të hyrat e grantit qeveritar, por financimi do të jetë ose me kredi të buta, ose me grante, qoftë nga korniza e Ballkanit Perëndimor, qoftë nga fondet IPA.
Murati deklaroi se në këtë rast bëhet fjalë për një projekt që ndërlidh dy shtete, jo vetëm dy qytete. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/