Para pak muajsh, në disa hyrje të objekteve banesore në Prishtinë janë vendosur disa poster informues në të cilën bëhet e ditur se këtë vit do të fillojë instalimi i matësve të valvulave termostatike.
Instalimi i matësve u tha se do të bëhet falas në kuadër të projektit “Njehsimi i Energjisë Termike”.
Kjo fazë përfshin hulumtime teknike dhe sociale në një numër banesash dhe shtëpi individuale, ku konsumatorët e TERMOKOS-it do të vizitohen dhe intervistohen nga ekipet profesionale të konsulentit implementues, me qëllim të identifikimit të saktë të çështjeve teknike në nivelin e përdoruesve individual.
Ndonëse, ngrohtorja e kryeqytetit ka nis furnizimin që nga 10 tetori, ende nuk janë parë punëtorët e kësaj ndërmarrje në terren të kenë filluar instalimin e njehsorëve në sistemin e radiatorëve ngrohës.
Projekti ‘Njehsimi i Energjisë Termike” që ka për qëllim kalimin e konsumatorëve të Termokos nga faturimi sipas hapësirës së matur, në faturim në bazë te konsumit, është projekt 10 milion dollarësh që mundësohet nga Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) dhe Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC).
Projekti përfshin pajisjen e 12.140 apartamenteve dhe disa shtëpive individuale me matës të mençur të energjisë termike, në rreth 288 nënstacione termike, instalimin e mbi 60.000 valvuolave rregulluese termostatike si dhe 60.000 alokatorëve të konsumit të energjisë./Ndërtimi.info/