Një studim i organizatës joqeveritare, Nisma për Drejtësi dhe Barazi, tregon se gjatë periudhës ndërmjet viteve 2010 dhe 2020, në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë paraqitur 187 kërkesa për ndarjen e pasurisë ndërmjet bashkëshortëve, por shumica prej tyre ende janë të pazgjidhura.
Organizata thekson se në vitin 2019 ka hyrë në fuqi ligji i përmirësuar për familjen në të cilin qasja në pasuri për të dy bashkëshortët është rregulluar dhe se kontributet e format e ndryshme përcaktohen si të barasvlershme dhe ligji poashtu siguron moszgjatjen e procedurave.
Por, Luljeta Aliu, udhëheqëse e kësaj nisme, thotë për Zërin e Amerikës se problemet po shfaqen edhe për shkak të mungesë së bashkërendimit të institucioneve që merren me këtë çështje.
“Do të thotë prej 187 rasteve befasia më e madhe ka qenë që diku 20 janë tërhequr edhe që të gjitha rastet tjera janë në procedura. Do të thotë numri i rasteve të patrajtuara është jashtëzakonisht i lartë dhe kjo natyrisht përputhet me ato që i kemi menduar që ndarja e pasurisë, interpretimi i dispozitave në lidhje me ndarjen e pasurisë ka qenë shumë i koklavitur edhe kontestueshëm sepse ka pasur dispozita që janë aplikuar gabimisht edhe që vazhdojnë të aplikohet gabimisht, pa bazë ligjore, ku në fund të dëmtuarat dalin gratë”, tha ajo.
Ajo thotë se këto raste duhet të trajtohen me përparësi pasi që shumë gra po dëmtohen nga zvarritja e proceseve.
“Ne kemi raste kur zgjatë deri në 10 vjet, 15 vjet një ndarje e pasurisë e cila nuk është logjike sepse po e dëmton palën e cila është me fëmijë po e dëmton edhe njëherë, sistemi po e dëmton, kështu që ne duhet t’i japim një fokus të veçantë sepse tash edhe me Konventën e Këshillit të Evropës kërkohet që për këto grupe të cenueshme të ketë një kujdes të shtuar edhe nga ana e institucioneve shtetërore”, tha ajo.
Sipas studimit, zvarritjet në sistemin e drejtësisë por edhe problemet financiare po e bëjnë të vështirë për shumë gra që t’u drejtohen gjykatave për të kërkuar pasurinë që u takon.
“Neni 54, që quhet ndarja e pasurisë në rastet e mosmarrëveshjes, ku gjykata në fakt në bazë të atij neni duhet në mënyrë të barabartë të vlerësoj kontributet financiare edhe jofinanciare, në bazë të atij neni ja kanë caktuar vlerën e kontributit jomaterial që nënkupton të amvisërisë ku ja kanë caktuar një rrogë minimale që për këtë mënyrë të interpretimit nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore, asnjë nën akt, asnjë kriter dhe asnjë përcaktim që mund të gjendet që përcakton që amvisëria e ka vlerën e një page minimale”, tha ajo.
Luljeta Demolli nga Qendra për Studime Gjinore tha të premten se ka një rritje shumë të ngadaltë të numrit të grave që përfitojnë pronë dhe kjo sipas saj ndodh për shkak të reformës shumë të ngadaltë të sistemit të drejtësisë. Ajo i bëri këto komente gjatë një debati të organizuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit (EULEX) në Prishtinë, për lidhjen ndërmjet të drejtave pronësore dhe dhunës në familje, si dhe fillimin e fushatës për rritjen e ndërgjegjësimit për të kërkuar të drejtën e pronës. “Gratë nuk kanë të drejtë në trashëgimi dhe nuk kanë pronë në emër të tyre. Vetëm 4 për qind e grave në Kosovë trashëgojnë nga prindërit të tyre ndërsa pronare apo bashkëpronare të banesave, shtëpive dhe kapitalit tjetër janë diku rreth 18 për qind e grave”, tha ajo.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se prona krijon mundësi për pavarësi ekonomike dhe fuqizim të zërit të grave kundruall padrejtësive dhe pabarazive.
“Gratë dhe vajzat duhet të jenë të vendosura në shfrytëzimit të drejtës së tyre për pronë sepse prona nuk duhet të shihet si dhuratë, ajo është një e drejtë e fituar, duhet të jetë e qartë se prona është një mundësi për të manifestuar integritet në përballje me elementet e patriarkalizmit”, tha ajo.
Shefi i misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha se mungesa e zotërimit të pronës nga ana e grave është edhe një nga shkaqet e dhunës në familje. “Ndoshta gratë në Kosovë kanë të drejtë ligjore për të zotëruar pronë, por traditat patriarkale dhe normat sociale i privojnë ato për të ushtruar këto të drejta themelore”, tha ai.
Përfaqësuesit e qeverisë thanë se aktualisht është duke u punuar në strategjinë kombëtare për luftën kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave për periudhën 2022 deri 2026. Çdo vit në Kosovë mijëra raste paraqiten në polici për dhunë në familje dhe në shumicën e rasteve viktima janë gratë.