Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) përmes një njoftimi në uebfaqen e saj, u ka bërë thirrje kompanive në Kosovë që të aplikojnë për autorizim si operatorë ekonomik me të drejtë shitjeje, instalimi dhe mirëmbajtje të Pajisjeve Elektronike Fiskale të çfarëdo lloji.
Për të përfituar statusin e Operatorëve të autorizuar për furnizim, instalim dhe mirëmbajtje të Pajisjeve Elektronike Fiskale (PEF), kompanitë mund të aplikojnë në çdo kohë vetëm sipas kritereve të publikuara nga ATK-ja, si dhe mund të aplikojnë për autorizim të një apo më shumë modeleve specifike të këtyre pajisjeve elektronike, si arkë fiskale, printerë fiskal apo edhe sistem fiskal të derivateve.
“Kushtet që duhet plotësuar dhe dokumentet që duhet të dorëzohen për aplikim mund t’i gjeni në ueb faqen e ATK-së, shkarko Kushte Administrative. Aplikimin mund ta bëni edhe përmes sistemit të ATK, mirëpo kërkesa së bashku me dokumentet tjera origjinale duhet të dorëzohen fizikisht në zyrën e Arkivit në ATK. Linku për aplikim përmes sistemit: https://arka.atk-ks.org/#/requesteconomicoperator/create”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
Në anën tjetër, tregu i arkave fiskale në Kosovë deri më tani praktikisht është dominuar nga një kompani e vetme.
Bizneset në Kosovë tani për tani printerin fiskal mund ta blejnë vetëm tek një kompani prej katër sa janë të licencuara për shitjen e arkave fiskale nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK). Këtë eksluzivitet e ka vetëm kompania “Enternet”, e cila përveç kësaj ka pronarin e njëjtë me kompaninë tjetër të arkave fiskale – “Gekos”.
Hulumtimi i para disa ditëve i Buletinit Ekonomik ka nxjerrë në pah se prapa kompanisë “Gekos” qëndron i njëjti pronar që zotëron 100% të aksioneve në kompaninë tjetër të licencuar për shitjen e arkave fiskale, “Enternet”. Madje dyshohej edhe për marrëveshje të fshehta mes kompanive.
Krahas Enternet dhe Gekos, të licencuar për operim me arka fiskale janë edhe dy kompani tjera; “Dukagjini” Sh.p.k, dhe “Service Global” për derivate. Mirëpo, bazuar në gamën e produkteve që ofrojnë por edhe në pronësinë e përbashkët, atëherë del se “Gekos” dhe “Enternet” zotërojnë pjesën më të madhe të tregut.
Buletini Ekonomik ka gjetur se të dy këto kompani ‘konkurente’ në tregun e arkave fiskale u pajisën me licencë nga ATK-ja duke pasur pronar të njëjtë.
Në një përgjigje të mëhershme për Buletinin Ekonomik, ATK-ja kishte pranuar se “ Enternet”, është e vetmja kompani për shitjen e printerëve fiskal, mirëpo nuk ishte përgjigjur rreth çështjes së pronësisë së përbashkët mes “Gekos” dhe “Enternet”.
Sipas ATK-së, çdo operator ekonomik i autorizuar ka të drejtë të certifikojë në çdo kohë çfarëdo lloji apo modeli të Pajisjeve Elektronike Fiskale, si: arka fiskale, printerë fiskal apo sistem fiskal, dhe se ATK-ja si mbikëqyrse e tyre nuk mund t’ua përcaktojë numrin e modeleve të këtyre pajisjeve. Pra, ATK-ja thotë se numri dhe lloji i modeleve të Pajisjeve Elektronike Fiskale që mund të certifikohen nga operatorët ekonomik (OE) është i pakufizuar.
Kujtojmë se dyshimet për monopol dhe si pasojë çmimet e larta të arkave fiskale kanë qenë shqetësim i kahmotshëm i bizneseve kosovare. Ato vazhdojnë të paguajnë çmime marramendëse për t’u pajisur me një arkë fiskale. Arka fiskale më e lirë në treg është 325 euro, ndërsa bizneset duhet të paguajnë edhe për mirëmbajtje 110 euro në vitin e parë dhe 70 në të dytin. /Buletini Ekonomik/
LEXO EDHE:
http://buletiniekonomik.com/2021/10/20/monopoli-ne-tregun-e-arkave-fiskale-me-vulen-e-atk-se/