Përmes Këshilla për Biznese që nga viti 2015, BERZH-i përmes kontributit të donatorëve ka arritur deri më tani të mbështesë mbi 1,000 biznese të vogla dhe të mesme në Kosovë, me këshillime individuale nga fusha e strategjisë, marketingut, ISO standarde, e deri te sisteme të menaxhimit të prodhimit, financave apo burimeve njerëzore.
(Intervistë me Leonora Kusari, Menaxhere Kryesore e BERZH për Këshilla për Bizneset e Vogla në Kosovë)
Buletini Ekonomik
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), dega në Kosovë, do të vazhdojë të punojë me bankat partnere vendase për të mbështetur zhvillimin konkurrues të sektorit privat duke ofruar financim dhe këshilla për korporatat kosovare dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe rritjen e tyre. BERZH do të vazhdojë me implementimin e instrumenteve të tilla si programi Gratë në Biznes, të Rinjtë në Biznes, Konkurrueshmërisë si dhe Rimëkëmbjes që ndërthurin qasjen në financa dhe në këshilla, thotë në një intervistë për Buletinin Ekonomik Leonora Kusari, Menaxhere kryesore e BERZH për Këshilla për Bizneset e Vogla në Kosovë dhe Kordinatore Regjionale për Programet e Kombinuara për Këshilla, Financim dhe Inovacion në Ballkanin Perëndimor.
Sipas Kusarit, përmes Këshilla për Biznese që nga viti 2015, BERZH përmes kontributit të donatorëve si Komisioni Evropian, Holandës, Luksemburgut dhe Suedisë, ka arritur deri me tani të mbështesë mbi 1,000 Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme (NVM) me këshillime individuale nga fusha e strategjisë, marketingut, ISO standarde, e deri te sisteme të menaxhimit të prodhimit, financave apo burimeve njerëzore.
Ajo në intervistën për Buletinin Ekonomik rrëfen se gjatë këtyre dy viteve të pandemisë kanë punuar ngusht me shoqatat e biznesit, shoqatën e konsulentëve por edhe Ministrinë e Zhvillimit Rajonal për të ofruar qasje online në tema dhe trajnime për bizneset për informimin lidhur me përkrahjen e bizneseve gjatë pandemisë si dhe trajnime në marketingun digjital, menaxhimin e likuiditetit, menaxhimit në distancë të punëtorëve etj, prej nga mbi 12,000 përdorues unik kanë marrë pjesë në këto aktivitete.
Leonora Kusari, njohëse e ndërmarrësisë së grave dhe problemeve jo të pakta që u dalin përparave grave kosovare gjatë zhvillimit të bizneseve të tyre, ka sqaruar në këtë intervistë se objektivi i Programit Gratë në Biznes i BERZH-it, dega në Kosovë gjithnjë ka qenë dhe është të promovojë ndërmarrësinë tek gratë, më gjerësisht pjesëmarrjen e grave në biznes, duke ndihmuar NVM-të e drejtuara nga to për të aksesuar financat, njohuritë dhe shërbimet jofinanciare të zhvillimit të biznesit. Kjo paketë si tërësi ka mundësuar që NVM-të të udhëhequra nga gratë të kenë rritje ekonomike, kanë mundësuar krijimin e vendeve të punës dhe një sërë përfitimesh të tjera sociale, duke kontribuar plotësisht në ndërtimin e një shoqërie të lirë, të orientuar nga tregu.
Deri në 2018, janë përkrahur 876 huamarrëse në shumën totale prej 8.0 milionë euro. Në përgjithësi, 171 gra kanë përfunduar vetëvlerësimin dhe mbi 618 gra kanë marrë pjesë në kurse online. Për sa i përket këshillave të biznesit, ekipi ndihmoi 48 projekte këshillimore ndërmjet konsulentëve vendas dhe NVM-ve të udhëhequra nga gratë, si dhe 5 projekte të vazhdueshme të trajnimit të biznesit. Për më tepër, 8 gra sipërmarrëse u nominuan për programin e mentorimit të zbatuar në partneritet me Fondacionin Cherie Blair për Gratë. Si rezultat, mbi 2750 gra sipërmarrëse u mbështetën përmes komponentëve të ndryshëm të Programit.
Buletini Ekonomik: Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) është që një një kohë të gjatë në Kosovë. Cili ka qenë misioni i këtij institucioni prestigjioz financiar ndërkombëtar dhe sa ia ka dalë në këto vite BERZH-i, përfaqësia në Kosovë, ta përmbushë këtë mision?
Leonora Kusari: Misioni i Bankës tone është të mbështet zhvillimin konkurrues të sektorit privat dhe për të arritur këtë ofron financim dhe këshilla për korporatat kosovare dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) për të mbështetur rritjen e tyre. Përmirësimi i aksesit në financa për NVM-të do të mbetet një prioritet dhe Banka do të vazhdojë të punojë me bankat partnere vendase për këtë qëllim. Banka do të vazhdojë me implementimin e instrumenteve të tilla si programi Gratë në Biznes, të Rinjtë në Biznes, Konkurrueshmërisë si dhe Rimëkëmbjes që ndërthurin qasjen në financa dhe në këshilla.
Buletini Ekonomik: Në ç’kah është përqëndruar ndihmesa e madhe e BERZH-it në Kosovë, sa kanë qenë të efektshme asistencat e institucionit tuaj ndaj bisneseve kosovare (në kuptimin edhe të rezultateve statistikore) dhe si e kanë shfrytëzuar këtë ndihmë kosovarët që drejtëpërdrejt kanë qenë të përfshirë në programet e juaja?
Leonora Kusari: Përmes Këshilla për Biznese që nga viti 2015, BERZH përmes kontributit të donatorëve si Komisioni Evropian, Hollanda, Luksemburgu dhe Suedia, ka arritur deri me tani të suportojë deri me tani mbi 1,000 NVM me këshillime individuale nga fusha e strategjisë, marketingut, ISO standarde, e deri te sisteme te menaxhimit të prodhimit, financave apo burimeve njerëzore. Për më shumë ka ngritur kapacitetet e më se 600 konsulentëve vendor dhe ka trajnuar mbi 700 biznese në fushat e menaxhimit të bizneseve.
Poashtu gjatë këtyre dy viteve të pandemisë kemi punuar ngushtë me shoqatat e biznesit, shoqatën e konsulentëve por edhe Ministrinë e Zhvillimit Rajonal për të ofruar qasje online në tema dhe trajnime për bizneset për informimin lidhur me përkrahjen e bizneseve gjatë pandemisë si dhe trajnime në marketingut digjital, menaxhimin e likuiditetit, menaxhimit në distancë të punëtorëve etj, pra tema për t’i mundësuar bizneseve që sa më lehtë të kalojnë vështirësitë që solli pandemia në menaxhimin dhe qëndrueshmerinë e biznesit. Mbi 12,000 përdorues unik kanë marrë pjese në këto aktivitete.
Buletini Ekonomik: Është evidente ndihma e BERZH-it për gratë në biznes, dhe asistenca-ndihma konkrete për shumë biznese të grave për t’u qasur në financa dhe këshilla. Në këtë aspekt cilat projekte do të veçonit ku shihen efektet e kësaj asistence?
Leonora Kusari: Objektivi i Programit Gratë në Biznes është të promovojë ndërmarrësinë tek gratë, më gjerësisht pjesëmarrjen e grave në biznes, duke ndihmuar NVM-të e drejtuara nga gratë për të aksesuar financat, njohuritë dhe shërbimet jofinanciare të zhvillimit të biznesit. Kjo paketë si tërësi ka mundësuar që NVM-të të udhëhequra nga gratë të kenë rritje ekonomike, kanë mundësuar krijimin e vendeve të punës dhe një sërë përfitimesh të tjera sociale, duke kontribuar plotësisht në ndërtimin e një shoqërie të lirë, të orientuar nga tregu.
Që nga fillimi i Programit në vitin 2015, BERZH ka nënshkruar marrëveshje kredie me Bankën TEB. Deri në 2018, janë përkrahur 876 huamarrëse në shumën totale prej 8.0 milionë euro. Së bashku me TEB dhe Shkollën e Financave dhe Menaxhimit të Frankfurtit (FSFM), konsulent përgjegjës për ofrimin e asistencës teknike (TA) për TEB kemi organizuar një sërë aktivitetesh. Këto përfshijnë 10 seminare Gratë në Biznes të organizuara në qytetet kryesore të Kosovës, ku morën pjesë gjithsej 274 gra ndërmarrëse. Paralelisht, u hap dhe u promovua uebfaqja e re e Programit, kurset online dhe Business Lens. Në përgjithësi, 171 gra kanë përfunduar vetëvlerësimin dhe mbi 618 gra kanë marrë pjesë në kurse online. Për sa i përket këshillave të biznesit, ekipi ndihmoi 48 projekte këshillimore ndërmjet konsulentëve vendas dhe NVM-ve të udhëhequra nga gratë, si dhe 5 projekte të vazhdueshme të trajnimit të biznesit. Për më tepër, 8 gra sipërmarrëse u nominuan për programin e mentorimit të zbatuar në partneritet me Fondacionin Cherie Blair për Gratë. Si rezultat, mbi 2750 gra sipërmarrëse u mbështetën përmes komponentëve të ndryshëm të Programit. Transferimi i aftësive i ka ndihmuar këto gra në fillimin dhe zgjerimin e biznesit të tyre, duke përfshirë tërheqjen e financimit dhe arritjen e rritjes së qarkullimit dhe punësimit.
Për të ndërtuar një momentum në fazën e parë të programit, e cila ishte një sukses i madh me shumicën e rezultateve të shumëfishuara, një fazë e dytë e Programit Gratë në Biznes ka filluar në vitin 2019 dhe do të zbatohet për një periudhë 5 vjeçare. Programi do të vazhdojë të inovojë, duke përfshirë veçori të reja për të thelluar ndikimin dhe për të përsosur mekanizmat e ofrimit, duke vënë theksin tek gratë sipërmarrëse më të cenueshme dhe të pashërbyera dhe forcimin e kapaciteteve lokale si pjesë e sigurimit të qëndrueshmërisë afatgjatë të Programit.
Buletini Ekonomik: Sa ka investuar BERZH-i në këto vite në Kosovë, në përkrahje të bisneseve, gjegjësisht ndihma për shumë bisnese për t’u qasur në këshillim?
Leonora Kusari: Deri me tani kemi investuar mbi 7.2 MM euro në mbi 1,000 kompani dhe në ngritjen e kapaciteteve apo aftësive të mbi 1,300 konsulentëve dhe MNVM-ve.
Buletini Ekonomik: Cila është mbështetja që ua keni bërë në vazhdimsi startup-ave (bizneseve fillestare), atyre që posa kanë zënë të sendërtojnë idetë e veta fillestare në ngritjen e një biznesi. Më konkretisht, cilat nevoja i shprehin këta rishtar për t’ua plotësuar ju? Nëse mund të ndani me ne edhe ndonjë storje suksesi të ndonjë start-up-i që ka bashkëpunuar me ju?
Leonora Kusari: Në punojmë ngushtë me Innovation Center Kosovo (ICK) që nga themelimi i saj duke ofruar mentorim, trajnime apo edhe duke qenë pjesë e jurisë për bizneset që inkubohen. Që nga viti 2020, ICK është edhe partneri kyc në zbatimin e Programit Star Venture- program për identifikimin dhe mbështetjen e bizneseve fillestare që kanë potencial të tejkalimit të kufijve vendor. Storie e përbashkët e suksesit është Labbox e specializuar në edukimin tech. Poashtu brenda këtij programi kemi edhe kompani tjera që janë duke korrur sukses jashtë tregut vendor si: Ambra, Symbolt etj.
Buletini Ekonomik: Në kontekstin e bashkëpunimit të deritashëm, si i vlerësoni bizneset kosovare. A janë mjaftueshëm të përgjegjshëm në menaxhimin e bizneseve të tyre dhe administrimin e ndihmesave qoftë financiare, qoftë të këshilldhënies nga ana e institucioneve ndërkombëtare, siç është BERZH?
Leonora Kusari: Jemi jashtëzakonisht të lumtur me bashkëpunimin e sinqertë që kemi me bizneset dhe shoqatat partnere, sepse suksesi i tyre n aka mundësuar të vazhdojmë të përfitojmë fondet nga donatorët për të kontribuar më tutje në zhvillimin e sektorit privat. Urojmë të kemi këtë fat edhe në vitet në vazhdim.
Buletini Ekonomik: Deri më tani, sa biznese kanë kaluar nëpër programet e BERZH në Kosovë dhe a mund të ndani me publikun statistika të rezultateve që janë arritur, qoftë kjo në kuptimin e rritjës së eksporteve për bizneset që keni mbështetur, qoftë në kuptimin e hapjes së vendeve të reja të punës?
Leonora Kusari: Nëse marrim vetëm statistikat e 3 viteve të fundit respektivisht 2018-2020, kemi ndihmuar rreth 180 kompani të cilat një vit pas përkrahjes sonë kanë arritur këto rezultate:
- 77% e kompanive kanë arritur të rrisin qarkullimin vjetor me një mesatare mediane prej 30% apo kolektivisht kanë arritur qarkullim shtesë prej 96 milion euro
- 33% e kompanive kanë rritur eksportin në shumë shtesë prej 9.5 milion euro
- 27% e kompanive kanë marrë financim në vlerë kolektive prej 36 milion euro
- 1754 vende shtesë pune të krijuara
Buletini Ekonomik: Cilat janë vizionet dhe planet e BERZH-it për të ardhmen e Kosovës, për vazhdimin e asistencës së deritashme për bisnesin e Kosovës?
Leonora Kusari: Ne jemi në fazën finale të draftimit të strategjisë së BERZH për Kosovën për periudhen e ardhshme pesë vjecare. Fokusi kryesor i strategjisë është në vazhdimin e zhvillimit të mëtejmë të sektorit privat me fokus në rritjen e konkurrueshmërise, integrimin regjional, dixhitalizim, energjinë e gjelbërt dhe në gjithëpërfshirjen me fokus të vecantë tek gratë dhe tek të rinjtë.