Rizvanolli: Marrëdhëniet me MCC-në amerikane nuk janë rrezikuar për asnjë moment

Artane Rizvanolli-Ministre e Ekonomisë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se marrëdhëniet me Zyrën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) nuk janë rrezikuar.

Rizvanolli duke diskutuar në Kuvendin e Kosovës lidhur me projektin e gazit që përkrahet nga Shtetet e Bashkuara, është shprehur se granti i MCC-së prej 200 milionë dollarë nuk është humbur.

“Dua të qartësoj që SHBA-ja dhe agjencitë e saj, Bashkimi Evropian në mënyrë bilaterale jo vetëm që na kanë përkrahur në ekspertiza, analiza dhe këshilla, por janë zotuar për të na përkrahur për një tranzicion energjetik”, tha Rizvanolli, shkruan Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

Ajo shprehet se me asnjë institucion amerikan nuk janë rrezikuar apo dëmtuar marrëdhëniet e Kosovës.

“Rreth grantit të MCC-së dhe grantit dhe opsionit të përdorimit të gazit ka shumë keqinformim dhe paqartësi. Granti i MCC-së prej 200 milionë dollarë nuk është humbur dhe nuk ka pasur asnjë moment të vetëm që granti është rrezikuar. Marrëdhëniet me MCC-së, SHBA-në e asnjë institucion tjetër amerikan nuk është rrezikuar apo dëmtuar për asnjë moment”, ka përfunduar ajo.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në buxhetin e ri të propozuar nga presidenti Joe Biden kishte marr vendim që t’i ndaj Kosovës rreth 200 milionë euro në kuadër të MCC-së.

Në këtë fond, njëri nga projektet është ndërtimi i sektorit energjetik, përkatësisht ndërtimi i infrastrukturës së gazit.

Ndërkohë, kryeministri Kurti ka thënë që Kosova nuk e ka humbur grantin e MCC për gazsjellësin. Ai tha se fondet e këtij granti janë ndarë për investime të tjera.

Kurti tha se në këtë projekt nuk janë vënë kushte nga asnjëra palë, dhe sipas tij, Qeveria e Kosovës e ka vlerësuar me kujdes projektin për ndikimin e gazit në çmimin e energjisë.

“Ne e kemi qartësuar që disa herë që granti nuk është humbur dhe as që ka qenë në rrezik asnjëherë që të humbet ai. Gjithashtu e kemi qartësuar që granti deri në 120 milioner euro nuk është ndarë specifikisht vetëm për infrastrukturë gazi, ndonëse ky opsion ka qenë duke u studiuar. Ne kemi vendosur që grantin ta shpenzojnë për investime të tjera. Qeveria e Kosovë nuk i ka vënë kushte MCC për sa i përket këtij projekti dhe  as MCC nuk i ka vënë kushte Qeverisë. Pra ka qenë raport partneriteti pa kushtëzime. Partneriteti i tillë i ngushtë vazhdon duke i trajtuar çështjet edhe si dizajn taksni e fizibilitet  ekonomik. Qeveria e Kosovës thjeshtë e ka vlerësuar me kujdes projektin dhe ndikimin në çmimin e energjisë”, ka thënë ai.