Rreth 200 mijë euro investime të çuara dëm në QKUK

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka investuar rreth 200 mijë euro për rinovimin e sallave të operacionit e dhomave përcjellëse për Klinikën e Kirurgjisë Plastike në Prishtinë, mirëpo gati një vit pas mbarimit të punimeve, ajo nuk është lëshuar ende në funksion.

Rreth 200 mijë euro janë shpenzuar për blerjen e pajisjeve të reja për këtë sallë operacioni, por, edhe një vit mbas mbarimit të meremetimeve, ajo mbetet jashtë funksionit.

Kjo është salla e vetme për kryerjen e operacioneve në Klinikën e Kirurgjisë Plastike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Në mungesë të funksionalizimit të saj, operacionet plastike kryhen në klinika të tjera të QKUK’së.

Ushtruesja e detyrës së drejtorit në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, Violeta Zatriqi, thotë për REL se salla nuk i plotëson kushtet për operim.

“Në tërësi është e pamundur të rregullohet sepse është jashtë bllokut operativ. Tavani është nën nivelin e duhur. Nuk mund të ngrihet lart drita, duhet të jetë në nivelin e duhur, e jo mbi kokën e operatorit”, thotë ajo.

Këto punime janë kryer në kohën kur drejtor i Kirurgjisë Plastike ishte Zejnë Buja. Ai nuk deshi të japë shpjegime për defektet e supozuara në sallë.

“Nuk kam kohë dhe nuk jam i interesuar për intervista”, tha ai,

Muret e sallës kanë nisur të mbledhin myk. Lavamani që duhet të përdoret nga mjekët, ka filluar të demolohet dhe të ndryshket, derisa nga katet e mësipërme rrjedh uji.

Vendi ku duhet të kryehen operimet, ka qasje në korridorin ku lëvizin pacientët ose familjarët e tyre. Kjo, sipas mjekëve, rrit rrezikun për infeksione.