Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka marrë vendimin që të formojë grupin punues ministror për vlerësimin profesional të procesit të lëshimit të akteve administrative nga sektori i ujërave, mjedisit dhe ndërtimit që nga periudha 2019 deri më 2021.
Ky grup do të formohet me qëllim të adresimit të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), si dhe ngritjes së stamdardeve të zbatimit legjislative profesional në trajtimin e çështjeve administrative, thonë nga kjo ministri përmes një njoftimi në faqen e tyre në facebook.
Grupi punues që do të formohet në të ardhmen e afërt, do të ketë për detyrë që sipas kritereve të legjislacionit, standardeve dhe rregullave profesionale, të vlerësojë lëshimin e akteve administrative, dhe në fund të gjithë procesit vlerësues t’i raportojë gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet deri më datën 15 shkurt 2022. /Buletini Ekonomik/