Sivjet remitencat në Kosovë- 1 miliard euro

Është e sigurt tashmë  se 2021-ta do të jetë një vit rekord i remitencave të ardhura, të arkëtuara dhe gjithsesi një pjesë të konsumuara tashmë në Kosovë.

Në prag të përmbylljes së këtij viti ‘të bereqetshëm’ për prurjet financiare të mërgatës sonë, shihet se remitencat do te jenë rekorde, madje do të arrijnë në mbi 1 miliardë euro.

Nga të dhënat e institucioneve zyrtare të vendit dhe atyre të pavarura kompetente për vëzhgimin dhe përcjelljen e ecurive financiare në vend, shihet se remitencat kanë prekur lartësitë e grafikoneve, dhe duke krahasuar ato ndër vite, dalin të jenë rekorde.

Reklama e sponzorizuar

Vetëm gjatë muajve janar-gusht të këtij viti diaspora jonë ka dërguar, ka sjellë direkt apo nëpërmjet transfereve bankare rreth 750 milionë euro.

Është rekord kjo shifër pra, sepse në vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë remitencat e diapsorës kanë qenë 527 milionë euro, poashtu të vlerësuara vjet si goxha shumë e madhe, madje edhe rekorde.

Edhe Banka Qendrore e Kosovës, me llogaritë e sajë, ka vlerësuar se remitencat në Kosovë për periudhën janar-gusht 2021, kanë arritur 749.6 milionë euro.

Sipas BQK-së, vlera totale e remitencave më 2020 ishte 608.4 milionë euro.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, të premtën në një intervistë ka thënë se se remitencat për këtë vit janë 1 miliard euro apo 15% më shumë se në vitin paraprak.

“Shifrat e fundit të remitencave nuk i kemi përpunuar, por janë diku rreth 1 miliard euro në rritjen vjetore diku 15%. Remitencat janë të dedikuara për konsum. E që konsumi është ndër faktorët që ka ndikuar në rritjen ekonomike në vend”, ka theksuar Mehmeti . /Buletini Ekonomik.