Ushtruesja e detyrës së Kryshefes ekzekutive të Postës së Kosovës, Fakete Kadiu sot gjatë një konference për media ka thënë se të hyrat e kësaj ndërmarrje publike për vitin 2020 kishin rënë për 2 milionë euro, apo 14 për qind më pak sesa vitin paraprak, përkatësisht vitin 2019.
“Sa i përket pasqyrave financiare të vitit 2020, sikurse edhe plotë ndërmarrje tjera edhe Posta e Kosovës ka operuar me një rezultat financiar minus 14 për qind, ku kemi funksionuar me personel esencial për shkak të pandemisë COVID-19. Pra, rënie e të hyrave në rreth 2 milionë euro”, ka thënë Kadiu.
Kjo ka ndikuar madje edhe tek pagat e punëtorëve të Postës, të cilët në jo pak raste muajt e fundit, nuk i kanë marrë pagat me kohë. Shto këtu edhe faktin se 80 për qind e të hyrave të kësaj ndërmarrje shkojnë për paga.
Sipas Kadiut, Posta ka edhe probleme tjera, siç është kryerja e obligimeve ndaj operatorëve ekonomik. /Buletini Ekonomik/