Trusti tregon për rimbursimin e qytetarëve nga tërheqja e 10 përqindëshit

Fotografi ilustruese

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe ka miratuar raportin vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2020.

Nga të pranishmit e Trustit Pensional të Kosovës në këtë mbledhje u tha se pritet që rreth 120 milionë euro do t’iu rimbursohen qytetarëve në pesë vitet e ardhshme për tërheqjen e 10 përqindshit të kursimeve të tyre, që iu mundësua vjet nga Qeveria, si një ndihmë në përballje me pandeminë.

Sipas udhëheqësve të Trustit, tërheqja e kursimeve të qytetarëve nuk e ka rrezikuar likuiditetin financiar të Trustit.

Reklama e sponzorizuar

Ardian Zalli, Drejtori Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës tha se tregu i investimeve në Evropë është më i sigurtë, prandaj edhe investimet i orientojnë nga tregjet ndërkombëtare.

Gjithashtu, Zalli tha se këtë vit është shënuar edhe një rritje e konsiderueshme e kontribuesve aktivë në Trustin Pensional.

“Këtë vit janë rreth 400 mijë kontribuues aktivë, zakonisht në kohën kur ka zgjedhje KQZ angazhon komisioner dhe vëzhgues dhe kështu rriten kontribuesit aktivë”, shtoi tutje Zalli. / Buletini Ekonomik/