Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se vetëm gjatë këtij viti ka identifikuar 3 mijë e 100 punëtorë, të cilët kanë punuar pa kontrata pune. Nga ATK-ja përmes një konference për media lidhur me formalizimin e punëtorëve, u tha se punësimi jo-formal është dëm për punëtorin dhe në këtë rast, të njëjtit, nuk gëzojnë as të drejtat që iu garantohen me Ligjin e Punës.
Drejtor i ATK-së, Ilir Murtezaj para organizatave nga shoqëria civile tha se deri më tani 22 për qind e bizneseve që kanë llogari tatimore, nuk kanë deklaruar tatimet në Administratën Tatimore të Kosovës.
Murtezaj ka deshifruar projektin e hartuar nga ATK-ja rreth “Punësimit joformal 2021-2023”, që sipas tij me anë të këtij projekti planifikohen aktivitete intensive në identifikimin e personave të cilët shmangun përmbushjen tatimore.
“22 për qind e bizneseve që kanë llogari në ËM, llogari tatimore për deklarim të tatimit në paga, nuk deklarojnë në Administratën Tatimore të Kosovës, bazuar në të dhënat e vitit 2020. Prej këtyre deklaruesve, 61 për qind e tyre nuk kanë paguar, ndërsa 39 për qind nuk kanë paguar. Pesë për qind e deklaruesve kanë deklaruar me paga nën 150 euro. Të dhënat të cilat tregojnë që ka hapësirë dhe vend për të përmirësuar dukshëm. Përveç këtyre dëmeve nga këndvështrimi i pagesës së tatimeve, dëmet janë aq të mëdha edhe nga ajo se sa një punëtor i sektorit privat është duke i gëzuar të drejtat e tij në pushimin ditor, vjetor e shumë gjëra të tjera”, tha ai.
Murtezi shtoi tutje se mos-formalizimi i punëtorëve gjithashtu prodhon dëme ligjore e tatimore.
“Përmes pakos emergjente fiskale, 15 mijë të punësuar kanë qenë punëtorë të formalizuar. Ndërsa, nga pako e fundit që e kemi të ringjalljes ekonomike, rezulton që diku afër 10 mijë të punësuar kanë kërkuar të përfitojnë nga masa 1.1, 1.2 dhe 1.3… Në periudhën janar-nëntor 2021, kemi diku mbi 3100 punëtorë të identifikuar të cilët kanë qenë pa kontrata pune dhe kanë qenë realisht duke punuar”, ka treguar Murtezaj. /Buletini Ekonomik/