Ndërmarrja publike KOSTT përgjatë viteve 2015-2021, ka dhënë pëlqime të shumta për ndërtim të objekteve në afërsi të trafostacioneve dhe largpërquesve, apo me një fjalë pëlqime për shfrytëzimin e hapësirave të saja, sipas Udhëzimit Administrativ i cili përcakton edhe tarifat për dhënien e pëlqimeve për palët që aplikojnë.
Mirëpo, nga raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) del se kjo ndërmarrje, në kundërshtim me këtë udhëzim administrativ i miratuar nga vet Bordi i KOSTT-it më 2008, kishte dhënë pëlqime edhe përkundër faktit që nuk ishin kryer pagesat, përcjell Buletini Ekonomik.
ZKA-ja gjatë auditimit të parë të kësaj ndërmarrjeje, ka gjetur se KOSTT nuk ka aplikuar tarifa për shfrytëzimin e hapësirave të saja për institucionet publike fare, ndonëse në udhëzimin administrativ nuk parashihej ndonjë përjashtim për institucionet publike, kurse për personat fizikë kishte aplikuar tarifa.
Kështu, nga 14 raste të audituara nga Auditori i Përgjithshëm, 10 raste ishin për institucionet publike si: komuna, ministri të ndryshme dhe ndërmarrje publike, të cilat nuk i kishin paguar tarifat për KOSTT-in, në vlerë të 2 mijë e 580 eurove. Kurse 420 euro tjera ishin borxhe nga 4 persona fizikë ndaj KOSTT-it.
Gjithsej, vlera financiare që nuk ishte paguar për këtë qëllim, pra për ndërtimin e objekteve në afërsi të trafostacioneve dhe largpërquesve, të cilat janë prona të KOSTT-it, është 3 mijë euro.
Përveç këtyre, edhe në katër raste tjera, nga ZKA-ja thonë se faturimi nuk ishte në përputhje me tarifat në udhëzues qoftë si rezultat i aplikimit të TVSh-së apo edhe aplikimit të kilometrave jo saktë.
Ndërkohë, sipas zyrtarëve të KOSTT-it që e kanë menaxhuar këtë fushë, kjo kishte ndodhur për shkak se për institucionet publike e kanë vlerësuar si të panevojshme aplikimin e tarifave (edhe pse sipas udhëzimit nuk kishte përjashtime për institucionet publike), përderisa te personat fizikë nuk kanë dhënë ndonjë sqarim.
Mirëpo, nga ZKA-ja shtojnë se mos aplikimi i tarifave për të gjitha palët kërkuese nga ana e KOSTT-it ndikon në trajtimin jo të barabartë të palëve dhe ka ndikim edhe në aspektin financiar.
Ata rekomandojnë që Bordi i drejtorëve përmes Kryeshefit të sigurohet se tarifat aplikohen për të gjitha palët kërkuese të cilët pranojnë një përgjigje nga KOSTT pa e favorizuar asnjë palë, në të kundërtën të plotësohet/ndryshohet udhëzimi dhe të specifikohet se në cilat raste dhe kush lirohet nga tarifa/pagesa.
“Po ashtu, te faturimi duhet të rritet kujdesi që çmimet të jenë në harmoni të plotë me udhëzimin”, vazhdon raporti.
Bazuar në rregullat vendore të aplikueshme, ndërtimet nën sistemin e transmisionit dhe në afërsi të caktuara, janë të ndaluara pasi që KOSTT-i këto hapësira i ka të shpronësuara dhe e mban të drejtën e servitutit.
Gjithashtu edhe menaxhimi i procesit të dhënies së përgjigjeve (pëlqimet/refuzimet) për palët ishte përcjellë me vonesa kohore në trajtimin e lëndëve, përveç mosaplikimit të tarifave për institucionet publike. Procesi i dhënies së pëlqimeve nuk kishte konsistencë sa i përket nënshkrimeve nga menaxhmenti, pasi këto nënshkrime në një periudhë të caktuar ishin aplikuar kurse në një tjetër nuk ishin aplikuar.
Nga ky auditim del se edhe zona e sigurisë të transmisionit energjetik ishte cënuar nga ndërtimet e periudhave të mëhershme që ishin kryesisht ndërtime ilegale, por që edhe përkundër definimit të kushteve teknike të përcaktuara nga KOSTT ato nuk ishin respektuar, pasi ndërtimet dhe zhvendosjet e shtyllave ishin bërë prap brenda zonës së sigurisë, ku ndalohen ndërtimet.
“Në disa raste KOSTT kishte informuar organet kompetente (komunat) për të ndërprerë punimet, por veprimet e ndërmarra ishin të pamjaftueshme”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Një gjetje tjetër në këtë raport është se dhënia e përgjigjeve nga KOSTT-i, dhe përcaktimi i kushteve teknike për zhvendosjen e shtyllave dhe kabllimin tokësor, ishte bërë duke u bazuar në standardet ndërkombëtare, por që nuk kishte ndonjë rregullore të brendshme të vet ndërmarrjes. Një draft rregullore është në proces por që ende nuk është aprovuar nga Bordi, konstatojnë tutje nga ZKA.
Nga viti 2015 e deri në gusht të vitit 2021, KOSTT-i kishte pranuar 113 kërkesa të ndryshme, prej të cilave 96 ishin për ndërtime në afërsi të transmisionit, 10 për zhvendosje të shtyllave elektrike dhe 7 kërkesa për kabllim tokësor. Nga këto kërkesa, nga ZKA-ja thonë se janë realizuar vetëm 4 zhvendosje të shtyllave dhe 2 kabllime tokësore.
Gjithashtu edhe kthimi i përgjigjeve nga KOSTT për palët, ishte shoqëruar me nga 10-25 ditë e madje edhe 7 muaj vonesë për një pëlqim, ndonëse udhëzimi adminitrativ përcakton një kohë minimale prej 15 ditëve.
“Ndërmarrja e energjisë duhet të japë miratimin ose refuzimin e vet për ndërtimin e paraparë, në formë të shkruar brenda afatit prej 15 ditëve pas dorëzimit të kërkesës”, përcaktohet në Udhëzimin Administrativ 03/2017 (MZhE) mbi Rregullat e Zonës së Sigurisë.
Gjatë ekzaminimit fizik, ZKA ka identifikuar edhe raste ku ishte cënuar zona e sigurisë, si rezultat i mos respektimit të kritereve sipas pëlqimeve/kushteve teknike dhe ndërtimeve të paautorizuara si në vijim:
-Ndërtimi i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë – Prishtinë, ishte afër linjës së transmisionit rreth 5m përderisa KOSTT-i i kishte lëshuar pëlqim sipas kushteve teknike që distanca të jetë minimum 7m. Kjo distancë nuk ishte respektuar gjatë ndërtimit, përkundër që mbikqyrja e zbatimit të kritereve është kompetencë e komunës, megjithatë zona e sigurisë ishte e cënuar,
-Komuna e Prizrenit kishte bërë zhvendosjen e shtyllës së linjës ekzistuese 110kV afër rrugës (projekti transiti i vjetër) rreth 2m, përderisa KOSTT-i i kishte lëshuar pëlqim me kushtet teknike/projekt që distanca deri te skaji i rrugës të jetë 40m, në rastet kur nuk lejojnë kushtet jo më e vogël se 10m. Dhe raporti i komisionit për pranim teknik i datës 22.01.2016, kishte konfirmuar se punët dhe zhvendosja nuk ishin kryer sipas kushteve teknike.
-Një rast i ndërtimit nën linjën e transmisionit 110Kv, i cili nuk kishte marrë pëlqim/kushte teknike për ndërtim, ishte identifikuar nga departamenti i mirëmbajtjes i cili në bazë të rregullores së mirëmbajtjes bën kontrollimin e trasesë në aspektin e cënimit të zonës nën linjë njëherë në gjashtë muaj. Mirëpo, KOSTT kishte njoftuar organet kompetente dhe punimet ishin ndërprerë. Ndërsa, në rastet e tjera, ZKA thotë se KOSTT nuk e praktikon monitorimin nëse po zbatohen kushtet teknike, me rastin e ndërtimeve, pasi kjo është kompetencë e komunave.
Në anën tjetër, KOSTT nuk ka as rregullore të brendshme që e rregullojnë zhvendosjen e linjave, kabllimin tokësor dhe ndërtimet në afërsi të transmisionit. ZKA tregon se në vitin 2020, KOSTT kishte filluar me hartimin e rregullores së brendshme dhe më 12.07.2021 i ishte dërguar Bordit për aprovim por ende kjo rregullore nuk është aprovuar nga ta.
“Shfrytëzimi i standardeve dhe rregulloreve me të cilat ka operuar KOSTT mund të kenë qenë jo mjaftueshëm të aplikueshme për nevojat e KOSTT-it”, vlerësojnë nga ZKA.
KOSTT për çështjen e zhvendosjes së linjave dhe kabllimin tokësor deri më tani ka aplikuar standardin IEC 60840 dhe EN 50341-1 dhe të njëjtat standarde janë aplikuar si për investimet vetanake të KOSTT-it ashtu edhe të investitorëve privat. Kurse për dhënien e pëlqimeve/kushteve teknike për ndërtimet në afërsi të transmisionit ishte aplikuar rregullorja mbi normat teknike për ndërtimin e linjave të energjisë me voltazhe minimale nga 1kV deri në 400 kV9, dhe kjo rregullore ishte anuluar me vendimin e Qeverisë së Kosovës nr. 15/36 të datës 22.09.2021.
Ndërsa tani, anulimi i rregulloreve paraprake nga Qeveria pamundëson KOSTT-in që të shqyrtojë kërkesat që mund të vijnë tani e tutje nga palët e ndryshme si rezultat i mungesës së bazës ligjore.
Kujtojmë se Operatori i Transmisionit, Sistemit dhe Tregut – KOSTT, operon si entitet i pavarur nga dhjetori i vitit 2005 nga privatizimi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/