Ndonëse Kosova si shtet nuk ka ende ndonjë bazë ligjore që e rregullon tregun e kriptovalutave, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka ndërmarrë veprime konkrete për të gjithë ata që kanë bërë investime në kriptovaluta, duke i obliguar të paguajnë tatim në fitim.
Sipas ligjit për Administratën Tatimore të Kosovë, çdo e ardhur e ligjshme apo e paligjshme për qëllime tatimore, është e ardhur e tatueshme, përcjell Buletini Ekonomik.
Ilir Murtezaj, drejtor i përgjithshëm në ATK, thotë se ATK-ja është e autorizuar me ligj të veçantë për mbledhjen e tatimeve nga kontributet pensionale dhe në këtë rast bazuar në ligjin për Administratën Tatimore dhe procedurat, ligji parasheh t’i tatojë edhe të ardhurat nga kriptovalutat, ani pse të njëjtat janë të paligjshme në Kosovë.
Ai thotë se ATK-ja ka qenë e qartë në njoftimin që ka bërë për publikun, duke theksuar se ajo vet nuk ndalon e as nuk legalizon asnjë aktivitet brenda vendit, por për qëllime tatimore ajo përkujton personat fizikë, afarist apo joafarist, bizneset, që kanë bërë investime në kriptovaluta dhe që kanë realizuar fitime kapitale, kanë për detyrim të paguajnë tatimin, varësisht prej statusit të tyre çfare e kanë.
“Tutje në njoftimin e dytë, ne kemi shkuar edhe më larg, pikërisht duke iu referuar kësaj që ka pasur pompozitet dhe debat në opinion, duke ua sqaruar qytetarëve edhe kolonën edhe deklaratën që duhet plotësuar, e edhe rubrikën se në cilën rubrikë duhet me i vendosë ato të hyra, me qëllim që të kalkulohet edhe pjesa e të hyrave, duke ua përshkruar edhe normën tatimore, edhe prej cilës shumë deri në cilën shumë normat tatimore sa janë përshkruar. Njoftimi ka qenë shumë i qartë, dhe duhet konfirmuar që ATK-ja nuk është as organ që e legalizon as që e ndalon aktivitetin me kriptovaluta”, ka thënë Murtezaj në një intervistë për Buletinin Ekonomik.
Sipas tij, të gjithë e dijnë që ky aktivitet nuk është i rregulluar në Kosovë, është duke funksionuar, por që në një formë as nuk është ndaluar as nuk është lejuar.
Ai shpjegon tutje se ATK-ja ka pasur edhe pyetje prej qytetarëve, prej individëve të caktuar se cilat janë detyrimet ligjore të tyre për të paguar tatim, pasi kanë realizuar fitim nga kriptovalutat, dhe për atë qëllim ATK –ja ka bërë njoftim publik, me qëllim që të parandalohen situtatat kur individë të caktuar prej mosdijes që kanë pasur detyrim, të bien pre e ndëshkimeve të ndryshme që ATK-ja pastaj kur të identifikon që ka realizuar një fitim të tillë, e detyron të paguajë tatim në fitim.
Ndërsa, për rastet e raportuara në veri, se atje po kryhet aktivitet i madh i kriptovalutave, Murtezaj thotë se në këtë rast nuk është vetëm institucioni i ATK-së që ka për obligim ta luftojë këtë çështje, por janë edhe institucionet tjera, duke thënë se ATK-ja është duke bashkëpunuar edhe me institucionet tjera, me qëllim që të shfrytëzohen të gjitha informacionet edhe të institucioneve tjera, që të arrihet te caku ku bëhet prodhimi qoftë i kriptovalutave apo transaksioneve këmbimore të kriptovalutave. (M.Shabani) /Buletini Ekonomik/