Viti 2021, viti i Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë, afër 390 milionë euro investime

Krahas rritjes së lartë të remitencave që vetëm deri në fund të tetorit ishin 956 miliardë euro, rritje këtë vit kanë shënuar edhe Investimet e Huaja Direkte në Kosovë (IHD).

Sipas vlerësimeve dhe përllogaritjeve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vlera e Investimeve të Huaja Direkte vetëm deri në muajin shtator 2021, kishte arritur në 389 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 254 milionë euro të regjistruar vitin e kaluar, pra deri në shtator 2020.

Gjatë kësaj periudhe, rritjen më të lartë kishin shënuar IHD-të tek investimet në patundshmëri, të cilat shënuan vlerën prej 265 milionë eurove, në krahasim me vlerën prej 129 milionë eurove të regjistruar deri në fund të shtatorit 2020, ndërsa shprehur në përqindje, kishte një rritje prej 106 përqind.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, investimet në sektorin e shërbimeve financiare, qëndruan në rreth 87 milionë euro, në krahasim me vlerën prej rreth 67 milionë euro të regjistruar gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar, derisa të njëjtat më 2019-n ishin vetëm 12 milionë euro, kurse në vitin 2018 ishin vetëm 4 milionë euro IHD-të në këtë sektor. Kurse të dhënat për vitin 2017 flasin për një shifër prej 36.8 milionë eurove.

Tutje, vlera e IHD-ve në vitin 2021, në krahasim me vlerën e Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë viteve të kalura është shumë më e lartë. Kështu, përderisa për periudhën janar-shtator 2021, IHD-të ishin në vlerën e 389 milionë eurove, në të njëjtën periudhë të vitit 2020, ishin 254.3 milionë, më 2019 ishin 216.4 milionë, më 2018 ishin 192.9 milionë, kurse në vitin 2017 ishin 213.1 milionë euro investime të huaja.

Ndërkaq, gjatë gjithë vitit 2020, investimet e huaja ishin në vlerën e 341.7 milionë eurove, më 2019 ishin në vlerën e 254.6 milionë euro, ndërsa më 2018 272.1 milionë euro.

Nga viti 2010 deri në vitin 2020, mesatarja e investimeve të huaja direkte për 6-mujorët e parë të viteve është 121.9 milionë euro, ndërsa në 6 muajt e parë të vitit 2021 janë 230.1 milionë euro, apo 89% ngritje krahasuar me mesataren e deritanishme. I bie që gjatë vitit aktual ka 33% më shumë investime se viti i kaluar, ose 109% më shumë se në vitin 2019.

E shtetet nga të cilat vijnë më së shumti Investimet e Huaja Direkte në Kosovë vazhdojnë të jenë Gjermania, Zvicra, Austria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria dhe Hungaria. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/