Rizvanolli: Resurset minerale që posedon Kosova janë potencial për ekonominë e vendit

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe kryeministri Albin Kurti kanë vizituar dje Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), me ç’rast potencuan se resurset minerale që Kosova posedon, janë potencial për zhvillimin e tregut dhe ngritjen e mirëqenies sociale dhe ekonomike.

Gjatë takimit me kryesuesen e Bordit, Selvete Grajçevci – Pllana dhe anëtarët tjerë të bordit të KPMM-së, u diskutua mbi rëndësinë dhe rolin e sektorit minerar në vend. Kryeministri Kurti tha se qeveria është e angazhuar për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe sektori minerar historikisht e ka dëshmuar se është sektor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndërsa ministrja Rizvanolli deklaroi se përveç prodhimit të energjisë elektrike, resurset minerale që posedon Kosova janë potencial edhe për ekonominë e tregut dhe ngritjen e mirëqenies socio-ekonomike.

Reklama e sponzorizuar

Në këtë takim gjithashtu është potencuar se krahas fuqizimit dhe zhvillimit të këtij sektori nëpërmjet hartimit të kornizës adekuate ligjore, sektori minerar kërkon angazhim të mëtutjeshëm për ofrimin e kushteve të përshtatshme për investime të mundshme dhe bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e minierave.

Si sfida në këtë sektor u përmendën: nevoja për përmirësimin e teknologjisë, ngritja e kapaciteteve profesionale, hulumtime të reja për identifikimin e resurseve minerale, zhvillimi i industrisë përpunuese si dhe ngritja e sigurisë në punë. /Buletini Ekonomik/