A është Turqia në prag të hiperinflacionit?

Turqia është treguar tërësisht e pakujdesshme, ndërkohë që pjesa tjetër e botës po shqetësohet për rritjen e inflacionit. Banka qendrore e vendit uli normën e saj kryesore të interesit për të tretin muaj radhazi në 15 për qind në nëntor, pavarësisht se indeksi i çmimeve të konsumit të vendit u rrit me 19.9 për qind nga viti në vit në muajin tetor.

Të premten, inflacioni vjetor pritet të kalojë pragun prej 20 për qind duke arritur në 20.7 për qind, sipas një sondazhi të Reuters. Kjo do të përfaqësonte normën më të lartë që nga nëntori i vitit 2018, kur vendi ishte duke u zhytur në një krizë valutore.

Turqit kanë qenë të tmerruar, ndërsa kanë përjetuar një përsëritje të atij episodi në javët e fundit, me liran që bie 28 për qind kundrejt dollarit që nga fillimi i nëntorit. Analistët paralajmërojnë se, nëse presidenti Recep Tayyip Erdogan refuzon të heqë dorë nga fiksimi i tij me normat e ulëta të interesit, Turqia mund të shkojë drejt hiperinflacionit. Vendi është shumë i varur nga importet dhe lëndët e tjera të para, të cilat po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta me rënien e lirës.

Reklama e sponzorizuar

“Norma e ndryshimit të Indeksit të Ҫmimeve të Konsumit (IҪK) ka të ngjarë të mbyllet me 30 për qind [nga viti në vit] gjatë muajve të ardhshëm,” shkroi Phoenix Kalen, analist në bankën franceze Société Générale, në një shënim të fundit.

“Nëse norma e ndryshimit të IÇK-së arrin kulmin në 27 për qind në afatshkurtër, do të kishim të bënim me një skenar optimist,” shtoi Kalen.

A do të shtojnё numrat e vendeve të punës në SHBA presionin mbi Powell për të rritur normat?

Tregtarët do të shikojnë nga afër raportin e vendeve të punës në SHBA të premten, ndërsa shtohen pyetjet në lidhje me drejtimin e ardhshëm të politikës monetare në ekonominë më të madhe në botë.

Në fillim të nëntorit, kryetari i Rezervës Federale, Jay Powell, kërkoi durim për rritjen e normave të interesit, ndërsa banka qendrore e SHBA tha se do të fillonte të zhbllokonte programin e saj të epokës së pandemisë për blerjen e aseteve prej 120 miliardë dollarësh në muaj.

Powell tha se ishte “koha për t’u zvogëluar” sepse ekonomia kishte arritur përparim “të konsiderueshëm” drejt dy objektivave të bankës qendrore për punësimin e plotë dhe inflacionin mesatarisht 2 për qind. Por, shtoi ai, kishte “ende hapësirë për të vazhduar punën për të arritur punësimin maksimal”.

Të dhënat e fundit japin shenja të një shtrëngimi të tregut të punës, me aplikimet e reja për përfitimet e papunësisë në SHBA që kanë rënë në nivelin e tyre më të ulët që nga viti 1969.

Rritja e madhe e vendeve të punës mund të shtojë pritshmëritë për një rritje të kostove të huamarrjes. Punëdhënësit amerikanë shtuan 531,000 pozicione pune në tetor dhe Andrew Hunter, ekonomist i lartë amerikan në Capital Economics, pret “një rritje solide prej 500,000 të tjerash në nëntor”.

“Por rreziku në rritje i një vale Covid përgjatë dimrit dhe oferta në rënie e punonjësve të gatshëm për punë duket se do të rëndojnë në rritjen e punësimit” menjëherë pas kësaj, paralajmëroi Hunter.

Ndërkohë, indeksi kryesor i shpenzimeve të konsumit personal – matësi i preferuar i inflacionit për Fed-in – u rrit 4.1 për qind në tetor, kërcimi i tij më i madh nga viti në vit që nga vitet 1990 dhe më i lartë se rritja vjetore prej 3.7 për qind e regjistruar për shtatorin.

Kjo e ka lënë Fed-in me një aksion të ndërlikuar balancues që do të fillojë vitin e ardhshëm, tha Brian Nick, kryestrategu i investimeve në Nuveen.

Ndërsa nuk ka gjasa që normat e interesit të rriten ndërkohë që ekonomia amerikane është ende duke u rikuperuar nga pandemia, investitorët së shpejti do të zbulojnë se “sa tolerant Fed-i e ka lejuar veten të jetë përsa i përket inflacionit të lartë”, tha Nick.

“Nëse ‘kalimtare’ ishte fjala kryesore e këtij viti, ajo e vitit të ardhshëm do të jetë ‘punësimi i plotë’,” parashikon Nick.

A do të arrijë inflacioni në eurozonë pikën më të lartë që nga futja e monedhës së përbashkët?

Inflacioni i Eurozonës për muajin nëntor pritet të jetë rritur me ritmin më të shpejtë në 30 vjet ditën e martë. Një rritje e tillë do t’i ngjasonte një rekordi të arritur muajin e kaluar në SHBA, pasi të dyja ekonomitë përballen me kosto në rritje të energjisë, kërkesë të fortë të konsumatorëve dhe ndërprerje të zinxhirit të furnizimit.

Ekonomistët e anketuar nga Reuters parashikuan se inflacioni total vjetor në eurozonë do të arrijë 4.4 për qind në muajin nëntor. Kjo do të shënonte një rritje, nga 4.1 për qind në muajin tetor dhe do të ishte më shumë se dyfishi i objektivit të Bankës Qendrore Europiane për stabilitetin e çmimeve në 2 për qind.

Kjo do të nënkuptonte gjithashtu normën më të lartë të regjistruar që nga fillimi i përdorimit të euros në 1999 dhe ritmin më të shpejtë të rritjes që nga viti 1991.

Inflacioni bazë, i cili përjashton energjinë dhe ushqimin e papërpunuar, pritet të rritet në 2.3 për qind, norma më e shpejtë në më shumë se një dekadë.

“Inflacioni total do të vazhdojë të mbetet i lartë përgjatë tremujorit të katërt,” tha Melanie Debono, ekonomiste në Pantheon Macroeconomics, “me faktorët kalimtarë që mbështesin aktualisht normën totale, si çmimet më të larta të energjisë, kërkesa e ndrydhur për shërbime dhe kufizimet në anën e ofertës, të cilat mund të rezultojë të jenë më afatgjata nga sa parashikojnë politikëbërësit.”

Në përputhje me konsensusin, Debono ka hequr së fundmi parashikimet e saj të inflacionit për eurozonën, por mendon se “tregjet e kanë gabim për shtrëngimin e BQE-së në 2022”.

Në mbledhjen e tetorit, pati një konsensus të gjerë në këshillin drejtues të BQE se nuk kishte “ende asnjë shenjë” të një kompensimi nga çmimet më të larta të energjisë te pagat, sipas procesverbalit të botuar të enjten.

Kjo do të thotë që do të ketë një presion të ulët të çmimeve në planin afatmesëm, ndërsa varianti i ri i Covid-19 ndoshta do të shtojë një rrezik të mëtejshëm të rënies për perspektivën ekonomike dhe inflacionin e eurozonës./ Financial Times