Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka përshëndetur aksionin e djeshëm të policisë së së Kosovës për rastin “Subvencioni 2021” dhe organeve tjera të drejtësisë në përpjekjen për sundimin e së drejtës në institucione tona.
“Këto arrestime janë në vazhdën e arrestimeve të mëhershme të muajit shkurt dhe qershorit të këtij viti. Bashkëpunimi me organet e drejtësisë për t’i dhënë epilog të gjitha keqpërdorimeve dhe abuzimeve të parasë publike në institucionet e Republikës së Kosovës nuk ka alternativë, është imperativ i kohës”, ka shkruar ai.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, përkatësisht Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike, kanë realizuar një aksion i cili është vazhdim i aksioneve të mëhershme për rastin “Subvencioni 2021” në disa lokacione të ndryshme të Kosovës.
Nga ky aksion janë ndaluar dhe intervistuar gjithsejtë 31 persona, prej tyre 12 zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK.











