Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) u ka bërë thirrje të gjithë personave afaristë e joafaristë, si dhe ata juridikë, që merren me kriptovaluta se janë të detyruar t’i deklarojnë të gjitha të ardhurat e gjeneruara nga to, dhe se janë të detyruar të paguajnë tatimet sipas legjislacionit tatimor.
Sipas një njoftimi nga ATK-ja, ky institucion do të përqendrohet pikërisht në identifikimin dhe trajtimin e këtyre personave që gjenerojnë të ardhura nga kriptovalutat, dhe për të gjithë ata që nuk i deklarojnë këto të ardhura, ATK thotë se do të ndërmarrin masa ndëshkimore.
“Të ardhurat e gjeneruara nga kriptovalutat, janë të ardhura të tatueshme! Administrata Tatimore e Kosovës, rikujton të gjithë personat fizikë jo afarist, personat fizikë afarist dhe personat juridikë, se janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet dhe Kontributet Pensionale në mënyrë reale dhe në kohë, ashtu siç është përcaktuar me legjislacionin tatimor”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
Nga ATK-ja deklarojnë tutje se me kryerjen e detyrimeve tatimore, kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, në arsimimin me standarde të larta, në mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore.
Komunikata e tyre përfundon me thirrjen se “Pagesa e tatimit, siguron qëndrueshmëri të ekonomisë në vend”. /Buletini Ekonomik/