ATK: Gjatë vitit 2021 janë identifikuar mbi 3100 punëtorë pa kontrata pune

Vetëm gjatë vitit 2021, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka identifikuar mbi 3100 punëtorë pa kontrata pune. Po ashtu, 22 për qind e bizneseve që kanë llogari tatimore, nuk kanë deklaruar tatimet në Administratën Tatimore të Kosovës.

ATK, platforma Civikos dhe Iniciativa Kosovare për Stabilitet, kanë debatuar këto ditë me organizatat nga shoqëria civile rreth formalizmit të punësimit në vend, si dhe implementimit të projektit të ATK-së “Punësimi joformal 2021-2023”

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj ka folur për projektin e institucionit në krye të të cilit është ai, e nëpërmjet të të cilit planifikohen aktivitete intensive në identifikimin e personave të cilët shmangun përmbushjen tatimore.

Reklama e sponzorizuar

Ai tha se punësimi jo-formal në radhë të parë i sjellë dëm punëtorëve, sepse ata nuk gëzojnë të drejtat bazuar në Ligjin e Punës.

22 për qind e bizneseve, tatimin në paga nuk e deklarojnë në Administratën Tatimore të Kosovës, bazuar në të dhënat e vitit 2020. Prej këtyre deklaruesve, 61 për qind e tyre nuk kanë paguar tatim në pagë, ndërsa 39 për qind kanë paguar.

Pesë për qind e deklaruesve kanë deklaruar paga nën 150 euro”, tha ai.

Murtezi shtoi se mos-formalizimi prodhon dëme ligjore e tatimore. Në këtë diskutim, ai ka treguar edhe për numrin e punëtorëve që janë identifikuar gjatë këtij viti pa kontrata pune.

“Përmes pakos emergjente fiskale, 15 mijë të punësuar kanë qenë punëtorë të formalizuar. Ndërsa, nga pako e fundit që e kemi të ringjalljes ekonomike, rezulton që diku afër 10 mijë të punësuar kanë kërkuar të përfitojnë nga masa 1.1, 1.2 dhe 1.3… Në periudhën janar-nëntor 2021, kemi diku mbi 3100 punëtorë të identifikuar, të cilët kanë qenë pa kontrata pune dhe kanë qenë realisht duke punuar”, ka thënë Ilir Murtezaj me këtë rast.

Sipas përfaqësuesit të FMN –së në Kosovë, Selim Thaçit, informaliteti në Kosovë është më i larti në regjion.

“Të dhënat flasin se informaliteti në Kosovë ka arritur të jetë 35 për qind, përqindje kjo ndër më të lartat në regjion. Pak a shumë këtë nivel e kanë edhe Maqedonia e Mali i Zi. Këto janë të dhënat e para që ka bërë Banka Botërore, Komisioni Evropian dhe vlerësimet tjera që në këtë pikë e qesin Kosovën, jo mirë. Kosova, sa i përket deklarimit tatimor del jo mirë në krahasim me regjionin”, u shpreh ai.

Sipas tij, disa nga faktorët që kanë ndikuar në informalitet janë besimi i ulët në institucione dhe procedurat e stërzgjatura në zgjedhjen e kontesteve biznesore. /Buletini Ekonomik/