Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton të gjithë tatimpaguesit që të regjistrojnë mallrat në stoqe në fund të vitit kalendarik më së largu deri me datën 10 Janar të vitit 2022.
Në njoftimin e tyre në facebook, ata thonë se çdo tatimpagues, pa marrë parasysh qarkullimin vjetor, përveç mbajtjes së librave dhe regjistrave të parapara me ligj, kërkohet të kryejnë regjistrimin e mallrave në stoqe në fund të vitit kalendarik.
Sipas tyre, regjistrimi i tillë, duhet të përfundohet më, apo para datës 10 Janar të vitit vijues dhe të jetë në dispozicion për inspektim me kërkesën e ATK-së.
“Shënimet e regjistrimit të mallrave, përfshijnë treguesit vijues: Nr. Emërtimi i mallit, Njësia matëse, Sasia, Çmimi dhe Vlera”, thuhet në njoftimin e tyre.
Ndërkohë që sipas ATK-së regjistrimi i mallrave duhet të mbahet me çmimin e kostos.
ATK gjithashtu thotë se të gjithë tatimpaguesit të cilët nuk respektojnë afatin e paraparë për të regjistruar mallrat në stoqe, do të jenë objekt i masave ndëshkuese të parapara me Legjislacionin Tatimor të Kosovës.(Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/