Çmimet e naftës në botë kanë pësuar ulje të ndjeshme që prej shfaqjes së varianti të ri të Covid, Omicron. Fuçitë e naftës po tregtohen në nivelet e 67 – 71 dollarë duke pësuar një ulje me 10 dollarë nga çmimet historike të dy javëve më parë.
Në Shqipëri rritja e çmimit të naftës ishte graduale ndërsa nga niveli i 160 lekëve në muajin shtator shkoi deri në 195 lekë në fillim të nëntorit me një rritje gati 15% brenda dy muajsh. Gjergj Buxhuku i “Konfidustrisë” parashikon kur do të reflektohet kjo ulje.
“Në tregjet botërore, çmimet prej dy javësh kanë rënë me 15%. Gjithashtu edhe Maqedonia e Veriut ka marrë një vendim për të ulur çmimin e naftës, edhe pse aktualisht ata e kanë 30% më të ulët se në. Unë mendoj se do nevojitet edhe një muaj në mënyrë që të reflektohet një ulje çmimi në Shqipëri”.
Në Shqipëri një litër naftë taksohet deri në nivelin e 110 lekëve, por për administratorin e Konfindustrisë ulja e taksave nuk është zgjidhje:
“Nuk besoj se është zgjidhje në momentet kur tregu funksionon si kartel dhe të gjitha këto përjashtime do të përfundojnë në xhepat e kompanive, jo në ulje çmimi për individët dhe bizneset”.
Nafta është edhe një nga produktet kryesore që po udhëheq rritjen e inflacionit në vend, si dhe ndikon në ekonominë e përgjithshme duke rritur çmimet e produkteve të tjera. Ulja e saj do të thoshte një stabilizim të tregut, ndërsa Banka e Shqipërisë ka njoftuar se në viti e ardhshëm çmimet do të vijën në ulje. /Top Channel/