Rreth 600 punëtorë shëndetësorë kanë vdekur nga Covid-19 në ShBA

Gati 600 punëtorë shëndetësorë kanë vdekur nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara. Në këtë shifër përfshihen mjekë, infermierë dhe ndihmës.

Shumica e personave të vdekur janë njerëz me ngjyrë, kryesisht me prejardhje afrikane dhe aziatike. Hollësi të reja për viktimat pritet të publikohen në ditët në vazhdim nga gazeta “The Guardian”.

Reklama e sponzorizuar

Më saktësisht, në data-bazën e të dhënave në projektin “Lost on the Frontline” gjendjen emrat e 586 personave që kanë vdekur gjatë përballjes me sëmundjen e re në vijën e parë të frontit.

Me këtë projekt po synohet që të vihen në pah rrëfimet njerëzore të heroizmit që gjendet pas statistikave. Asnjëri nga këta punëtorët shëndetësorë nuk e ka filluar vitin duke menduar se thjesht shkuarja në punë do t’i ekspozonte ndaj një virusi që do të mund t’i vriste.

Kur kriza erdhi, ata u ballafaquan me sfidën. Qëndruan në punë për orë të gjata. Punëtorët e emergjencës nguteshin për t’u dalë në ndihmë njerëzve.

Susana Pabatao, një nga mijëra filipinaset që punon në sektorin e shëndetësisë në ShBA, u bë infermiere në të dyzetat. Ajo vdiq vetëm disa ditë pas bashkëshortit, Alfredo, i cili gjithashtu u infektuar me Covid-19.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara e kanë numrin më të lartë të viktimave dhe të infektuarve me koronavirus në mbarë botën.