Banka Qendrore Europiane ka në plan të ridizajnojë kartëmonedhat e Euros, me një vendim përfundimtar për pamjen e re që pritet në vitin 2024.
Euro u prezantua në formën e parave të gatshme në vitin 2002, me kartëmonedha të bazuara në atë që banka qendrore me qendër në Frankfurt për zonën e euros e quan një temë “moshë dhe stil” – me dritare gjenerike, dyer dhe ura nga periudha të ndryshme që nuk përfaqësojnë asnjë vend ose monument të caktuar. Ato kanë pësuar një përditësim relativisht të vogël në atë kohë.
“Pas 20 vitesh, është koha për të rishikuar pamjen e kartëmonedhave tona për t’i bërë ato më të lidhura me europianët e të gjitha moshave dhe prejardhjeve”, u shpreh në një deklaratë presidentja e BQE-së, Christine Lagarde.
Ajo tha gjithashtu se kartëmonedhat euro “janë një simbol i prekshëm dhe i dukshëm që ne qëndrojmë së bashku në Europë, veçanërisht në kohë krize, dhe ka ende një kërkesë të fortë për to”.
BQE deklaroi se do të krijojë grupe fokusi për të mbledhur opinione nga njerëzit në të gjithë kontinentin mbi temat e mundshme për kartëmonedhat e ardhshme. Një “grup këshillimor tematik” me një ekspert nga çdo vend i eurozonës do të paraqesë më pas një listë të ngushtë me tema të reja të sugjeruara në këshillin drejtues të BQE-së.
Banka tha se do të kërkojë kontributin e publikut për propozimet dhe më pas do të zhvillojë një konkurs projektimi për kartëmonedhat e reja përpara se të konsultohet sërish me publikun. Këshilli i tij drejtues do të marrë një vendim përfundimtar dhe do të vendosë se kur mund të emetohen kartëmonedhat e reja./SCAN TV/