Eurostat ka publikuar të dhënat mbi prodhimin e Brendshëm Bruto të vendeve të Bashkimit Europian për vitin 2020. Referuar njoftimit mbi të dhënat për këtë vit, produkti i brendshëm bruto (GDP) e BE-së ishte rreth 13 400 miliardë euro me çmimet aktuale.
Në terma realë, PBB-ja e BE-së në vitin 2020 ishte 7.6% më e lartë se niveli i një dekade më parë. Megjithatë, PBB-ja reale ishte 5.9% më e ulët se niveli i saj në vitin 2019. Kjo ishte rënia e parë e PBB-së së BE-së që nga viti 2009, kur PBB-ja ra me 4.3% krahasuar me vitin 2008.
Rënia e aktivitetit ekonomik dhe rrjedhimisht e PBB-së është në përputhje me kufizimet e zbatuara në vitin 2020 për të ngadalësuar përhapjen e COVID-19.
Në vitin 2020, pak më shumë se një e katërta e PBB-së së BE-së u gjenerua nga Gjermania (25.1%), e ndjekur nga Franca (17.2%) dhe Italia (12.3%), përpara Spanjës (8.4%) dhe Holandës (6.0%).
Në anën e kundërt të shkallës, dhjetë shtete anëtare të BE-së kontribuan më pak se 1% në PBB-në totale të BE-së: Malta (e cila kishte pjesën më të ulët të PBB-së së BE-së me 0.1%), Estonia, Qiproja dhe Letonia (të gjitha 0.2%), Kroacia, Lituania dhe Sllovenia (të gjitha 0.4%), Bullgaria dhe Luksemburgu (të dyja 0.5%) dhe Sllovakia (0.7%).
Kur krahasojmë PBB-në e vitit 2019 dhe 2020 në vendet anëtare të BE-së, Spanja mori goditjen më të madhe (-10,8%), e ndjekur nga Greqia (-9,0%), Italia (-8,9%), Portugalia (-8,4%), Malta ( -8.2%), Kroacia (-8.1%) dhe Franca (-7.9%). I vetmi vend i BE-së që regjistroi një rritje të PBB-së në vitin 2020 ishte Irlanda (+5,9%).