Bursat shënuan rënie të mëtejshme të premten, duke thelluar humbjet javore, dhe investitorët rendën drejt aseteve të sigurta, teksa po vlerësojnë përshkallëzimin e konfliktit Ukrainë-Rusi, pas kapjes nga rusët të një e një centrali të madh bërthamor.
Metalet industriale, drithërat dhe nafta u rritën ndërkohë që aksionet aziatike ranë në nivelet më të ulëta të 16 muajve pas lajmit për një zjarr, që më vonë u shua, pranë një objekti bërthamor të Ukrainës pas luftimeve me forcat ruse.
Në Europë, indeksi STOXX (.STOXX) i 600 kompanive u ul me 1.4% në 431 pikë, duke arritur një nivel të ri të ulët për vitin.
Indeksi i aksioneve MSCI ra 0.6% në 686 pikë, rreth 10% më poshtë për vitin.
“Tregu po ndikohet aq shumë nga rreziku i titujve të lajmeve, saqë treguesit ekonomikë nuk kanë rëndësi për momentin,” tha Michael Hewson, analisti kryesor i tregjeve. në CMC Markets.
Edhe pse normat e SHBA-ve pritet të rriten, investitorët ende po rendin drejt obligacioneve të qeverisë, që u jep më shumë siguri, tha ai.
“Ka rrezik të përshkallëzuar të inflacionit, ka pasiguri të madhe për atë që do të ndodhë më pas në frontin e lajmeve dhe një president rus që nuk do të përjashtonte armët bërthamore – ky është një sfond mjaft toksik,” tha Hewson.
Nafta e papërpunuar iu rikthye rritjes dhe alumini preku një nivel rekord prej 3,850 dollarë për ton në Londër, ndërsa konflikti në rritje në Ukrainë krijoi frikën e një kufizimi të furnizimit me metal nga Rusia, një prodhues i madh.
Nikeli arriti një nivel të lartë 11-vjeçar për arsye të ngjashme.
“Njerëzit i tremben një inflacioni në rritje dhe mbrojtja më e mirë për këtë është energjia dhe metalet industriale,” tha Mike Kelly, kreu i aseteve globale në PineBridge Investments.
Në tregjet valutore, euro humbi më tej terren dhe u vendos në javën e saj më të keqe kundrejt dollarit në gati dy vjet, pasi perspektiva e çmimeve të larta të qëndrueshme të mallrave vazhdoi të ndikojë në pritjet për rritjen ekonomike europiane. /Monitor.al/