Çmimet botërore të ushqimeve rriten në nëntor – Sipas Organizatës së Ushqimit, qëndrojnë në kulmin 10-vjeçar

Çmimet botërore të ushqimeve u rritën për të katërtin muaj në radhë gjatë nëntorit për të qëndruar në nivelet më të larta të 10 viteve të fundit, të udhëhequr nga kërkesa e fortë për grurë dhe produkte qumështi, deklaroi agjencia e ushqimit e OKB-së.

Indeksi i çmimeve të ushqimit të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), që ndjek çmimet ndërkombëtare të mallrave ushqimore më të tregtuara në nivel global, ishte mesatarisht 134.4 pikë muajin e kaluar, krahasuar me 132.8 të rishikuar për tetorin.

Indeksi i çmimeve të drithërave i FAO u rrit me 3.1% në nëntor krahasuar me muajin paraardhës dhe ishte 23.2% më i lartë se niveli i tij i një viti më parë, me çmimet e grurit që arritën nivelin e tyre më të lartë që nga maji 2011. FAO deklaroi se çmimet e grurit u mbështetën nga shqetësimet për reshjet në Australi dhe pasiguria mbi ndryshimet e mundshme në masat e eksportit në Rusi.

Reklama e sponzorizuar

Indeksi i çmimeve të qumështit shënoi rritjen më të madhe mujore, me 3.4% krahasuar me muajin e kaluar. “Kërkesa e fortë globale për importe vazhdoi për gjalpin dhe qumështin pluhur, ndërsa blerësit kërkuan të siguronin furnizime në vend në pritje të shtrëngimit të tregjeve”, theksoi FAO.

Sipas agjencisë, çmimet globale të sheqerit u rritën me 1.4% në muaj dhe u rritën gati 40% në bazë vjetore. Indeksi i çmimeve të mishit shënoi rënien e tij të katërt mujore radhazi, duke rënë 0.9% në muaj, ndërsa çmimet botërore të vajit vegjetal ranë 0.3% në nivelet e tetorit, por çmimet ndërkombëtare të vajit të palmës mbetën të qëndrueshme, tha FAO.

Organizata me seli në Romë uli projeksionin e saj të prodhimit global të drithërave në 2021 në 2.791 miliardë ton, nga 2.793 miliardë e vlerësuar një muaj më parë, sipas parashikimit të ofertës dhe kërkesës për drithëra. Megjithatë, prodhimi i pritshëm botëror i drithërave do të ishte ende një rekord, shtoi FAO. /Scan tv/